Prishtinë, 17 shtator Zhurnal.mk – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Takimi u mbajt një ditë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Kurti e cilësoi aktgjykimin si të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të mëdha, duke theksuar se vendimi duhet të ndryshohet pozitivisht në shkallën e apelit.
Gjatë bisedës, Kurti dhe Hamza shkëmbyen pikëpamjet dhe përshtypjet e tyre, si dhe shqyrtuan rrugët dhe mënyrat që duhet të ndiqen për korrigjimin e vendimit të një dite më parë.
Kryeministri Kurti dhe kryetari i PDK-së, Hamza, u angazhuan që të mbajnë komunikim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm për temat me interes publik, shtetëror dhe kombëtar.
Rezistenca e popullit tonë dhe lufta çlirimtare ishin jo vetëm të drejta, por edhe të domosdoshme në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës përbënte përgjigjen e organizuar të shqiptarëve kundër një regjimi shtetëror shtypës, si ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviqit. Krimet e këtij regjimi janë të dokumentuara, duke nisur nga represioni sistematik dhe aparteidi, te mohimi i të drejtave themelore njerëzore e qytetare, e deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi.
