Shkup, 16 shkurt – Këshilltari në komunën e Kumanovës dhe anëtar i kryesisë qendrore të VLEN, Lulzim Aliti përmes një postimi në Fejsbuk, ka komentuar largimet e fundit nga ASH-ja e Arben Taravarit. Sot dorëheqje nga pozita e sekretarit organizativ dha Gadaf Uzeiri, ndërsa ditë më parë edhe Blerant Ramadani, sekretar i përgjithshëm.
Sipas Alitit, këto nuk janë rastësi dhe as episode të izoluara, por pasqyrë e një gjendje që prej kohësh ka qenë e dukshme për ata që e njohin nga brenda realitetin e Aleancës për Shqiptarët (ASH).
“Kur njerëz me kontribut dhe përgjegjësi vendosin të distancohen, kjo flet më shumë se çdo deklaratë publike. Një lëvizje politike nuk mbahet gjallë vetëm me emra dhe funksione, por me vizion të qartë dhe koherencë mes fjalës dhe veprës. Në momentin kur rruga ndryshon pa konsultim, pa transparencë dhe pa respekt ndaj strukturës, atëherë fillon krisja e brendshme. Dhe sot, këto krisje po bëhen gjithnjë e më të dukshme”, thekson Aliti.
Ne, shton ai, u larguam me bindje se po mbronim parimin, jo interesin personal.
“U etiketuan qëndrimet tona, u shtrembëruan motivet tona, por koha po dëshmon se shqetësimi ynë ishte real. Nuk kërkuam përçarje, kërkuam kthim tek vlerat mbi të cilat u ndërtua kjo frymë politike”, ka shkruar Aliti.
Sipas tij, është e dhimbshme të shohësh një ideal të deformohet, por është edhe më e dhimbshme të heshtësh përballë devijimit.
“Sepse heshtja në momente të tilla bëhet bashkëfajësi. Sot, më shumë se kurrë, bëhet e qartë se besimi i anëtarësisë dhe i qytetarëve fitohet me integritet, jo me kalkulime afatshkurtra. Ata që qëndruan në anën e parimit nuk kanë nevojë për justifikim, koha po flet në vend të tyre”, thekson Aliti.
Aliti për largimet nga ASH-ja e Taravarit: Nuk janë rastësi dhe as episode të izoluara
56
Postimi i mëparshëm

