Aplikacioni “TVSH-ja ime” me probleme në funksionim, ankohen qytetarët

Nga admin
519 e lexuar

Shkup, 12 janar – Aplikacioni “TVSH-ja ime” sërish nuk funksionon. Qytetarët ankohen se nuk mund të skanojnë faturat fiskale. Thonë se aplikacioni ose nuk hapet, ose marrin mesazh se nuk ka lidhje me Drejtorinë e të Ardhurave Publike.

“Në momentin po kontrolloj në telefon, nuk ka qasje në aplikacionin ‘TVSH-ja ime”, tha një qytetar.

“Tani për momentin kam problem me aplikacionin. Çfarë ju shkruan? Nuk e hap as kodin, shkoj te DAP dhe askush nuk më ndihmon”, u shpreh një tjetër qytetar.

“Ndonjëherë ka, ndonjëherë s’ka. Mungesa e lidhjes ndodh më shpesh – po”, tha një qytetar.

“Kam dëgjuar se ka ndonjë problem”, u përgjigj një qytetar tjetër.

Reagime ka edhe në rrjetet sociale. Qytetarët thonë se çdo fundjavë aplikacioni nuk funksionon. Një pjesë ankohen se sistemi nuk u lejon të skanojnë faturat, ndërsa të tjerë theksojnë se edhe pse kanë marrë njoftim se skanimi ka qenë i suksesshëm, paratë nuk u janë evidentuar.

Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike për Alsat thonë se për shkak të azhurnimit të aplikacionit, ka vështirësi në funksionim, por nuk saktësojnë kur do të tejkalohen problemet.

“Drejtoria e të Ardhurave Publike po punon në përmirësimin e sistemit dhe për këtë arsye përdoruesit e aplikacionit ‘TVSH-ja ime’ për momentin po përballen me vështirësi teknike dhe është vështirësuar përdorimi dhe lidhja me sistemin. Presim që aplikacioni të jetë plotësisht funksional sa më shpejtë të jetë e mundur”, njoftojnë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.

Ndryshe, faturat fiskale mund të skanohen brenda 10 ditëve nga lëshimi i tyre, ndërsa përmes masës “TVSH-ja ime”, çdo qytetar mund të marrë deri në 2.100 denarë për tremujor apo deri në 8.400 denarë në vit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër