Arkeologët zbulojnë varr të lashtë me ar dhe armë pranë Koroishtës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Strugë, 5 tetor, Zhurnal.mk – Arkeologët kanë zbuluar një varr të pasur ushtarak që daton nga shekulli VI para erës së re, në lokalitetin arkeologjik Rasnica, pranë fshatit Koroishtë të Strugës. Në varr janë gjetur armë, si dhe objekte të punuara nga ari, bronzi dhe qelibari, përcjell Zhurnal.mk.

Zbulimi i ri konfirmon më tej se lokaliteti Rasnica ka qenë nekropol i periudhës arkaike.

Gjetjet do të prezantohen sot pasdite në një konferencë për media në Ohër, ku do të marrin pjesë drejtuesi i kërkimeve arkeologjike, dr. Pero Axhanliev, këshilltar-kurator në Muzeun Kombëtar Arkeologjik, drejtoresha e Muzeut Arkeologjik, Magdalena Manaskova, si dhe drejtoresha e Administratës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Vesela Çestoeva.

“Mënyra e hulumtimeve këtë vit solli një zbulim të ri të jashtëzakonshëm – një varrim të pasur ushtarak me pajisje të kompletuara ushtarake, ndër të cilat janë zbuluar mburojë, helmetë, shtiza, shpatë dhe objekte të tjera prej ari, bronzi, qelibari dhe materialesh të tjera”, njoftuan nga Muzeu.

Sipas tyre, rezultatet më të fundit kanë rëndësi të veçantë, pasi konfirmojnë më tej dhe pa mëdyshje karakterin e lokalitetit Rasnica si nekropol i periudhës arkaike.

Zbulimi hap mundësi të reja për studimin e riteve të varrimit, strukturës ushtarake dhe shoqërore, si dhe elitave që kanë jetuar në rajonin e Ohrit dhe Strugës gjatë shekullit VI para erës së re.

Lokaliteti Rasnica tërhoqi vëmendjen e publikut në vitin 2024, kur gjatë kërkimeve arkeologjike u zbulua një kompleks monumental varror me material arkeologjik jashtëzakonisht të pasur.

Atëherë u gjetën një helmetë bronzi me aplikime ari, një mburojë bronzi, një zbukurim i artë, unaza dhe fletëza ari, rruaza prej qelibari dhe qelqi, gjilpëra argjendi dhe një kantharos, si dhe disa enë bronzi.

Sipas arkeologëve, varrimi i ri ushtarak dhe armët e gjetura në të ofrojnë të dhëna të rëndësishme për statusin, identitetin dhe rolin ushtarak të disa prej personave të varrosur në nekropol.

Me vazhdimin e kërkimeve, Koroishta po veçohet si një nga komplekset më të rëndësishme arkeologjike të periudhës arkaike në vend.

Kërkimet po realizohen nga Muzeu Kombëtar Arkeologjik në Shkup, në bashkëpunim me Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeun e Ohrit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër