Arrestohet biznesmeni Valon Lluka, dyshohet për mashtrim dhe tri vepra të tjera penale

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prshtinë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Biznesmeni Valon Lluka është arrestuar të mërkurën nga Policia e Kosovës, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Telegrafi mëson se Lluka kishte kallëzim penal nga biznesmeni Behgjet Pacolli.

Lajmin për ndalimin e tij e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes zëdhënëses Kaltrina Shala.

Sipas Shalës, Lluka dyshohet për disa vepra penale, përfshirë “Mashtrimin”, “Shpërdorimin e pasurisë së huaj”, “Keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhjen e kontratës së dëmshme”.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale ‘Mashtrimi’, nga neni 323, ‘Shpërdorimi i pasurisë së huaj’, nga neni 318, ‘Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’, nga neni 284, si dhe veprës penale ‘Lidhja e kontratës së dëmshme’, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Ajo ka bërë të ditur se lidhur me rastin, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.

“Lidhur me rastin në fjalë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit”, deklaroi zëdhënësja e Prokurorisë.

Shala ka shtuar se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të dyshuarit.

Rasti mbetet nën hetim, ndërsa deri në një vendim përfundimtar gjyqësor, Lluka konsiderohet i pafajshëm, në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër