Arteta i thur elozhe yllit të Arsenalit: Është një prej lojtarëve më inteligjentë që kam parë

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Arteta nuk kurseu lëvdatat për Mikel Merinon pas fitores 4-2 të Arsenalit ndaj Ipswich Town në Carabao Cup, duke e cilësuar mesfushorin spanjoll si një prej futbollistëve më inteligjentë me të cilët ka punuar.

Merino e nisi ndeshjen me shiritin e kapitenit dhe arriti të shënonte një prej golave të Arsenalit në fitoren bindëse në ‘Portman Road’, duke marrë vlerësime të mëdha nga trajneri i tij.

Edhe pse në Ligën Premier ka pasur më shumë rol rotacioni, këtë herë spanjolli u përzgjodh për të udhëhequr skuadrën dhe e shpërbleu besimin e Artetës me një paraqitje të mirë dhe gol.

16-vjeçari Max Dowman ishte ai që mori pjesën më të madhe të vëmendjes, pasi shënoi dy gola, ndërsa Noni Madueke dhe Merino kompletuan listën e golashënuesve të Arsenalit.

Pas ndeshjes, Arteta pati vetëm fjalë të mëdha për Merinon.

“Ai është i jashtëzakonshëm. Para së gjithash, është një prej lojtarëve më inteligjentë që kam parë dhe me të cilët kam punuar”, deklaroi Arteta.

“Pastaj është personaliteti i tij. Ai thjesht dëshiron t’u japë gjithçka të gjithëve. Mendon për gjithçka, mendon për secilin”.

“Ai ka cilësi që janë unike në futboll dhe në skuadrën tonë. Ka aftësi për të ardhur në zonë, mund të pozicionohet në vende të ndryshme, të luajë në pozicione të ndryshme dhe të lidhet me bashkëlojtarët”.

“Si mesfushor, aftësia që ka për të shënuar gola si ai i mbrëmjes së sotme është diçka ndryshe që nuk e kemi parë shumë kohët e fundit, por është një tjetër cilësi e jashtëzakonshme e tij”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër