Shkup, 02 nëntor, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët ka vlerësuar se zhvillimet në Bërvenicë përbëjnë një mesazh për tejkalimin e ndasive politike dhe afrimin e faktorit politik shqiptar. Përmes një komunikate, kjo parti ka bërë thirrje për dialog dhe pajtim me të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të saj, duke theksuar se mospajtimet e së kaluarës nuk duhet të jenë pengesë për bashkëpunim.
Nga ASH thonë se Bërvenica ka dëshmuar se dallimet politike mund të tejkalohen dhe se vullneti për bashkëpunim mund të krijojë hapësirë për pajtim, edhe pas ndarjeve dhe përplasjeve të mëparshme.
Në komunikatë, partia rikujton se dy vitet e fundit kanë qenë të vështira për Aleancën për Shqiptarët, për shkak të ndarjeve, mospajtimeve dhe largimit të një pjese të njerëzve që për vite kanë kontribuar në ndërtimin e subjektit politik.
ASH u referohet edhe atyre që vendosën të vazhdojnë rrugëtimin politik në Qeveri, duke e arsyetuar këtë vendim me ruajtjen e posteve dhe përfaqësimit politik. Në këtë kontekst, nga partia shtrojnë pyetjen se sa janë realizuar premtimet e dhëna dhe sa është përfaqësuar realisht elektorati që kishte besuar në to.
Njëkohësisht, në komunikatë theksohet se ndjenja e mungesës së përfaqësimit dhe e të qenit i anashkaluar duhet të merret seriozisht, por këto pakënaqësi nuk duhet të shndërrohen në pengesë për rikthimin e raporteve të mira dhe bashkëpunimit.
Sipas ASH-së, mospajtimet politike nuk duhet të shkatërrojnë miqësitë, respektin dhe lidhjet e ndërtuara ndër vite. Partia vlerëson se askush nuk duhet të gjykohet përgjithmonë për një vendim politik të marrë në të kaluarën.
Në fund, Aleanca për Shqiptarët shpreh gatishmërinë për dialog me të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të saj, pa paragjykime, kushtëzime personale apo ndasi.
“Koha e pajtimit është tani”, thuhet në komunikatën e ASH-së, ku theksohet se historia e përbashkët nuk mund të fshihet nga dy vite mospajtimesh dhe se respekti i ndërsjellë duhet të jetë më i fortë se çdo post politik.
