Asnjë reagim nga QUINT-i për kërcënimet e Vuçiqit ndaj Kosovës

Nga D V
492 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 28 korrik, Zhurnal.mk – Kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj Kosovës nuk u përcollën me reagime nga ambasada e Gjermanisë, Francës, SHBA-së, Britanisë dhe Italisë. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, tha se shqetësimin e ngriti me ministrin e deleguar për Evropën në qeverinë franceze, Benjamin Haddad

Të pa dënuara nga bashkësia ndërkombëtare kanë kaluar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili oficerëve të rinj ushtarakë u kërkoi të bëhen gati ta mbrojnë “tokën e shenjtë”, duke aluduar si tokë të shenjtë Kosovën.

KOHA ka kërkuar koment nga ambasadat e pesë vendeve të QUINT-it lidhur me deklaratat e Vuçiqit dhe u është drejtuar me pyetje nëse do të ketë pasoja për Serbinë, mirëpo gjatë së hënës nuk ka marrë përgjigje.

E në Selinë e Aleancës Veriatlantike – NATO, kanë refuzuar të komentojnë mbi çështjen.

“Ne nuk komentojmë deklaratat e bëra nga udhëheqës dhe zyrtarë individualë”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.

Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së promovimit të oficerëve të rinj të Ushtrisë serbe, Vuçiq tha se Kosova është pjesë e Serbisë, edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas drejtësisë së Zotit. Diskurs ky i përdorur gjatë viteve ‘90 edhe nga Slobodan Millosheviq, pararendës i Vuçiqit.

E para dy javësh, ministrja në qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, tha se po të ishte në vend të Millosheviqit, do të kryente spastrim etnik në Kosovë.

Deklaratën e Paunoviqit e dënuan ndërkombëtarët, por në Serbi ndaj saj nuk u morën masa, madje Vuçiqi dhe zv.kryeministri Ivica Daçiq i dolën në mbrojtje.

Të dielën, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të sigurt, pavarësisht kërcënimeve të presidentit serb.

E të hënën, Glauk Konjufca, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme, tha se shqetësimin për diskursin e zyrtarëve të lartë serbë, e ka ngritur edhe me ministrin e deleguar për Evropën në qeverinë franceze, Benjamin Haddad.

“Po ashtu diskutuam për situatën e sigurisë në rajon. Retorikat që justifikojnë ose i relativizojnë krimet e viteve ‘90, siç po ndodh nga Serbia, janë jo vetëm provokim, por të papranueshme dhe të papërputhshme me vlerat e qytetërimit, të paqes dhe të demokracisë dhe nuk mund të kenë vend ato në Evropën demokratike. Paqja e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e të kaluarës apo mbi thirrjet për përsëritjen e saj, por vetëm mbi të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë”, ka thënë Konjufca.

Ndërkohë, shqetësim lidhur me rrënimin e vilave të ndërtuara pa leje për rreth liqenit të Ujmanit shprehën në komunitetin ndërkombëtar.

Gjithashtu reagime ka pasur edhe pas dekretit të presidentit në detyrë, Albulena Haxhiu, përmes së cilit u liruan nga detyra të shtatë prokurorët serbë, të cilët patën dhënë dorëheqje në fund të 2022-s.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër