Avokati i Popullit hapi lëndë për ndotjen e ujit në Gostivar

Nga D. V.
567 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 gusht, Zhurnal.mk – Zyra e Avokatit të Popullit ka hapur lëndë me nismë të vet për ndotjen e ujit në Gostivar.

Siç bëjnë të ditur, përmes kësaj lënde do të përcaktohet se si ka ardhur deri te cenimi i të drejtës së qytetarëve për ujë të pastër për pije.

Për këtë qëllim, janë kërkuar informacione nga Instituti i Shëndetit Publik, Komuna e Gostivarit, Ndërmarrja Publike “Komunalec” dhe Qendra e Shëndetit Publik.

“Janë marrë informacione me shkrim nga këto institucione. Megjithatë, ato nuk janë të plota, pasi nuk përmbajnë të gjitha të dhënat dhe rrethanat relevante lidhur me problemin e ndotjes së ujit. Për këto arsye, Avokati i Popullit do t’u drejtohet edhe institucioneve të tjera kompetente, me qëllim marrjen e informacioneve konkrete“, njoftuan nga zyra e Avokatit të Popullit.

Rasti me ujin në Gostivar është vënë në fokus edhe të sektorit joqeveritar dhe organizatave për luftë kundër korrupsionit.

“Transparency International“ në raportin e saj më të fundit e ka renditur këtë rast ndër ngjarjet më kontroverse, duke e cilësuar si një tregues serioz për dobësi të mundshme sistemike.

Në ndërkohë institucionet kompetente po vazhdojnë analizat e cilësisë së ujit, ndërsa rezultatet përfundimtare priten në gjysmën e dytë të gushtit.

Ndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.

Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër