“Babai me kamionetë, fëmija katërvjeçar”, dalin detaje nga rasti i rëndë në Vushtrri

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Një fëmijë ka humbur jetën në Vushtrri të premten pasi është goditur nga një veturë që drejtohej nga prindi i tij. Ngjarja ka ndodhur më 27 mars 2026 rreth orës 15:00, kur i dyshuari, mashkull kosovar, duke manovruar me automjetin e tij, nga pakujdesia ka goditur fëmijën e tij.

“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, me automjetin e tij nga pakujdesia ka goditur fëmijën e tij, i cili nga plagët e rënda ka ndërruar jetë”, njoftoj policia.

Siç raporton Sinjali, rreth orës 15:00 të datës 27 mars 2026, në rrethana që tashmë po trajtohen si pakujdesi, babai i viktimës, K.B, teksa po lëvizte me kamionetë në oborr, ka goditur aksidentalisht djalin e tij katërvjeçar.

Përpjekjet për ta shpëtuar kanë qenë të menjëhershme, fëmija është dërguar me urgjencë në spital, por plagët e marra rezultuan fatale. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet relevante hetimore, ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore ka marrë trupin e pajetë për obduksion.

Ngjarja ka lënë pasoja të rënda emocionale, ku prindërit e fëmijës kanë marrë trajtim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar psikike.

Rasti është iniciuar si “Vrasje nga pakujdesia”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka lënë një familje të shkatërruar.

artikuj të ndërlidhura