Tiranë, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se 30 nëntori është afati përfundimtar për Komisionin e Reformës Zgjedhore, ndërsa theksoi se Partia Socialiste nuk do të mbështesë zgjatjen e mandatit të tij.
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla paralajmëroi se nëse nuk arrihet një dakordësi me opozitën, socialistët do ta miratojnë reformën në mënyrë të njëanshme, duke theksuar se mazhoranca i ka 84 votat e nevojshme.
Balla bëri të ditur se grupi parlamentar i PS-së nuk do të mbështesë zgjatjen e afatit të këtij komisioni, sepse koha ka qenë e mjaftueshme, një vit.
“Data 30 nëntor është afati i fundit i Komisionit të Zgjedhores. Ne nuk mund të ripërsërisim të njëjtin skenar, të njëjtën lojë që bëhet në kurriz të agjendës europiane të Shqipërisë. Arsyeja pse PD bojkoton Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe bojkoton miratimin e ligjit të financimit të partive politike, është se nuk thuhet askund që ligji i financimit të partive politike duhet miratuar me konsensus, në kuptimin që konsensusi është 84 vota në Kuvendin e Shqipërisë. Ne 84 vota në Kuvend i kemi dhe ne do ta miratojmë në mënyrë të njëanshme nëse data 30 nëntor tejkalohet”, tha Balla.
Balla uroi që PD, si forca më e madhe në opozitë të vijë në komision.
Por, sipas tij, mbylljen e gjashtë kapitujve brenda vitit 2026, mbylljen e 33 kapitujve të Traktatit të Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe përmbylljen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, nuk mund ta mbajë peng askush.
“PS i ka numrat në Kuvend për të çuar përpara angazhimin tonë për përmbylljen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE deri në vitin 2030. Ende shpresoj dhe besoj që deri më 30 nëntor do të ketë një reflektim nga PD, si forca më e madhe në opozitë. Por ligji i financimit të partive politike duhet të miratohet nga Shqipëria brenda dhjetorit të këtij viti”, shtoi ai.

