Balla: Ligji “Për tubimet” kalon me Akt Normativ, instrumente të reja kundër dhunës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 26 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bëri të ditur sot se ndryshimet në ligjin “Për tubimet” do të kalojnë me akt normativ nga qeveria për t’u miratuar më pas në Kuvend.

Në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Balla informoi mbi mënyrën se si do të procedohen në Kuvend aktet ligjore në kuadër të paketës kundër dhunës urbane.

“Ligji për tubimet do të miratohet me akt normativ. Akti normativ miratohet nga qeveria dhe pastaj nga Kuvendi. Ndërkohë ne kishim nisur një proces javë më parë për disa ndryshime që përafrojnë Kodin tonë Penal me atë të vendeve të BE-së. Dhuna në protesta ka krijuar nevojën për të pasur disa instrumente të reja në dispozicion të shtetit për të mbrojtur demokracinë”, shtoi ai.

Sipas Ballës, masat kundër dhunës po merren në të gjitha vendet që po përballen me protesta të dhunshme. “‘Antifa’ si organizatë ka ndikimin e vetë edhe në Shqipëri dhe ka një koalicion global kundër saj. Nonsensi më i madh është se ata pretendojnë se janë antifashistë por sillen më keq se fashistët, pasi gjithë kjo dhunë si parim është fashiste”, shtoi ai.

I pyetur mbi reagimin e Policisë ndaj protestuesve, Balla u shpreh se nëse i referohesh reagimit të policive homologe në Francë apo Itali, reagimi i Policisë së Shtetit në Shqipëri është shumë i butë.

“Ndaj efektivëve të policisë është qëlluar në mënyrë të vazhdueshme përditë me gurë, mjetet piroteknike dhe bomba molotov. Reagimi i Policisë së Shtetit është më i reduktuar. Dhuna në Shqipëri sponsorizohet nga forca të huaja dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim”, shtoi ai.

Po ashtu, Balla theksoi se PD është e vetmja forcë politike në Europë që po mbështet me bomba molotov dhe fishekzjarre dhe po fsheh persona të akuzuar për dhunë në selinë e saj.

I pyetur mbi krijimin e regjistrit të personave nën hetim për dhunë urbane, Balla theksoi se i gjithë procesi i identifikimit të tyre kalon edhe nga strukturat e drejtësisë.

Po ashtu Balla informoi se brenda kësaj jave pritet miratimi në qeveri i projektbuxhetit 2027, ndërkohë që të enjten Kuvendi do të miratojë kalendarin e shqyrtimit të buxhetit në komisione.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër