Balla: PS e hapur për bashkëpunim me opozitën në komisionin e reformës zgjedhore

nga D. V.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se “këtë javë do të përmbyllim në Konferencë të Kryetarëve me kolegët e grupeve të tjera parlamentare 2 komisionet e posaçme, atë të reformës zgjedhore dhe komisionin e posaçëm të reformës administrative territoriale”.

“Kemi propozuar për komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore një variant të parë të përbërjes së këtij komisioni, 17 anëtarë; 9 Partia Socialiste, 8 grupet parlamentare dhe partitë e tjera në Kuvend. Jemi të hapur për një diskutim me opozitën sa i përket edhe referencave të kaluara, ku kemi pasur edhe përbërje paritare, pra barazi, por e rëndësishme është që në këtë komision 2 bashkëkryetarët kanë të drejtën e vetos. Pra bashkëkryetari nga mazhoranca dhe ai nga opozita kanë të drejtën e vetos”, theksoi Balla në një prononcim për mediet pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së  u shpreh se “jemi të gatshëm ta ruajmë këtë traditë, por rëndësi ka që u ngrit komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore, ku kam theksuar sot në mbledhjen e grupit edhe nevojën e një diskutimi për të hartuar sa më shpejt një draft sa i përket po draftit për ligjin për partitë politike dhe për financimin e partive politike në mënyrë të veçantë”.

“Është një nga detyrat e shtëpisë që Komisioni Europian na ka lënë dhe që duhet ta kemi sa më parë. Kjo është çështja që lidhet me komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Komisioni i posaçëm i reformës territoriale-administrative tradita ka qenë që shumicën e ka grupi më i madh parlamentar dhe drejtohet me kryetar dhe zv/kryetar. Mezi pres konferencën e kryetarëve për të diskutuar me kolegët, me 3 kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend”, tha Balla.

I pyetur nëse do pranonin kërkesën e opozitës që ta marrin ata komisionin e reformës zgjedhore, Balla tha se “do ishte shumë e mirë sikur opozita të ngarkonte dikë dhe të vinte të na e thoshte këtë, por nëse opozita do ta propozojë këtë zyrtarisht në Konferencë të Kryetarëve kam gatishmërinë, e kam diskutuar, kam marrë dhe plotfuqishmërinë nga grupi parlamentar nëse doni për ta negociuar dhe për ta pranuar”.

“PS ka pasur dhe ka prej shumë vitesh gatishmërinë e saj për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të paktën në 4 palë zgjedhjet e fundit. Dhe mes tyre ajo që do doja të veçoja është çështja që lidhet me depolitizimin e niveleve të dyta dhe të treta të administrimit të procesit zgjedhor. Flas këtu për komisionet në vendet e votimit, KZAZ, por mbi të gjitha për numëruesit. Zgjedhjet e fundit treguan që PD apo dhe subjekte të tjera të opozitës nuk kanë më besim te numëruesit që propozojnë vetë. Atëherë meqë kanë më shumë besim te numëruesit që cakton KQZ, atëherë ejani ta miratojmë depolitizimin e tyre”, nënvizoi Balla.

Ndërkohë, shtoi Balla, jemi të gatshëm të mbështesim çdo lloj forme të përdorimit të teknologjisë në zgjedhje.

“Pra zgjedhjet në njësinë 10 në Tiranë apo në Vorë përsëri treguan që përdorimi i teknologjisë është një avantazh dhe i jep fund një historie të papranueshme që duhet të presësh me javë derisa të dalë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve. Këtu PD të marrë shembull nga ajo që ndodhi në Kosovë: mbaruan zgjedhjet dje, sot kemi rezultatin e pjesshëm për shkak të balotazheve, por rëndësi ka që zgjedhjet mbarojnë”, tha Balla.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More