Barcelona e ka nisur në mënyrë spektakolare mbrojtjen e titullit në La Liga, duke triumfuar 5:0 në udhëtim ndaj Elches në javën e dytë të kampionatit.
Raphinha dhe Fermin Lopez shënuan nga dy gola, ndërsa debutuesi Karim Adeyemi e vulosi paraqitjen e tij të parë me fanellën e katalunasve me një gol.
Megjithatë, pavarësisht rezultatit bindës, trajneri Hansi Flick nuk ishte plotësisht i kënaqur me atë që pa në fushë.
Trajneri gjerman theksoi se Barcelona e humbi topin shumë lehtë gjatë pjesës së parë dhe kërkoi më tepër kontroll nga skuadra.
“E humbëm topin shumë lehtë në pjesën e parë. Duhet të kemi më shumë kontroll”, deklaroi Flick, i cili megjithatë e cilësoi fillimin e sezonit si “fantastik”.
Një prej temave kryesore ishte mungesa e Alejandro Baldes, i cili nuk ishte fare në listën e lojtarëve për ndeshjen. Në Spanjë po qarkullojnë raportime për interesimin e Manchester Unitedit për mbrojtësin e majtë.
Flick shpjegoi se Balde aktualisht ka “shumë gjëra në mendjen e tij”, duke lënë të kuptohet se situata e tij mund të lidhet edhe me zhvillimet rreth të ardhmes.
Në vend të tij, 19-vjeçari Xavi Espart mori mundësinë nga minuta e parë dhe la përshtypje te trajneri.
“Është një tjetër lojtar nga La Masia në këtë nivel. Kjo është e jashtëzakonshme”, tha Flick.
Në qendër të vëmendjes ishte edhe Karim Adeyemi. Sulmuesi gjerman, i cili debutoi me Barcelonën, e kurorëzoi paraqitjen me gol dhe mori lëvdata të mëdha nga trajneri.
“Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe shumë i nënvlerësuar. I thashë të mos shqetësohej, sepse do ta duan këtu në Barcelonë”, deklaroi Flick.
Ai vlerësoi veçanërisht shpejtësinë, forcën fizike dhe aftësinë e Adeyemit për të finalizuar aksionet, duke theksuar se gjermani është duke u përshtatur mirë me ekipin.
Edhe Anthony Gordon pati një debutim pozitiv, duke dhuruar dy asistime pasi u inkuadrua nga banka rezervë.
Ndërkohë, jo gjithçka shkoi sipas planit për Gavi. Mesfushori 22-vjeçar u zëvendësua pak para përfundimit të pjesës së parë për shkak të dhimbjeve në gjurin e majtë. Flick megjithatë nuk dha arsye për alarm, duke zbuluar se Gavi i kishte thënë se ndihej “më mirë nga sa kishte pritur”.
Barcelona do të rikthehet në fushë më 27 gusht, kur në shtëpi do ta presë Athletic Bilbaon.


