Bardhi: Keni detyrimin kushtetues të dëgjoni qytetarët për reformën territoriale

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend tha se mazhoranca nuk ka marrë në konsideratë shqetësimet dhe sugjerimet e komuniteteve të prekura për reformën territoriale.

Bardhi tha se deputetët e opozitës i kanë drejtuar 53 pyetje nismëtarit të reformës, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Deputetët e opozitës i paraqitën nismëtarëve 53 pyetje. Nga 53 pyetje, ne morëm zero përgjigje nga nismëtarët. Dhe kjo tregon shumë për cilësinë e projektit që sjell për votim sot në seancë plenare”, tha Bardhi.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi tha se sipas Gjykatës Kushtetuese kërkohet që procesi i dëgjimit të përfshijë banorët e njësive të prekura dhe që varianti përfundimtar të jetë i hapur për ndryshime, në varësi të sugjerimeve të komuniteteve.

Bardhi tha se 15 këshilla bashkiakë kanë miratuar vendime kundër bashkimeve të propozuara dhe se këto qëndrime duhet të merren në konsideratë.

“Është e turpshme që vjen kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe thotë “po bëj një sintezë të vendimit të gjykatës” dhe shkruan një vendim që gjërat që Gjykata Kushtetuese nuk i ka thënë. Të kundërtën ka thënë Gjykata Kushtetuese dhe po e citoj fjalë për fjalë, jo sintezë si do donim ne të ishte vendimi, “procesi i dëgjimit duhet të përfshijë si kusht minimal pjesëmarrjen e banorëve të njësive të qeverisjes vendore që preken nga reforma”, nuk preket Kavaja nga reforma, po preket Rrogozhina se Rrogozhina po shkrihet, nuk preket Mati nga reforma, por preket Klosi, nuk preket Tepelena, po preket Memaliaj.

“Jo vetëm të paraqitet varianti përfundimtar që do miratohet, por ai të jetë i hapur për ndryshime sipas sugjerimit të komuniteteve nëse ka sugjerime të tilla. Dhe sugjerimi i certifikuar me vendim të këshillit bashkiak të 15 bashkive është që nuk duan të bashkohen me bashkitë që ju i propozoni të bashkohen”, tha Bardhi.

Kreu i grupit të PD-së tha se konsultimi me qytetarët nuk duhet të jetë thjesht formal, por efektiv. Bardhi kërkoi nga mazhoranca të bëjë të qarta kriteret mbi të cilat është hartuar ndarja e re territoriale, duke akuzuar qeverinë se vendimet janë ndikuar nga interesa politike.

“Dhe ju keni detyrimin kushtetues sipas këtij vendimi të dëgjoni mendimin e tyre. Nuk mund të shmangim në këtë proces mendimin e qytetarëve dhe mendimi nuk është formal. Konsultimi do të duhet të jetë efektiv. Të qënurit efektiv konsultimi do të thotë që të shkosh t’i pyesësh dhe aty ku argumentet qëndrojnë t’i reflektosh, jo mos bësh asnjë ndryshim.

“Ndryshon kur nuk ka logjikë që të shkrish, po e marr prapë Divjakën, dhe të bësh një bashki me të ardhura më të pakta ekonomike apo më të vogël në numër popullsie. Dilni na sqaroni kriteret që keni ndjekur. I keni vetëm kriteret e pazareve politike siç e pranove që e keni bërë në 2015-ën”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër