Shkup, 25 Mars, Zhurnal.mk – Njoftimet nga ministria e punëve të brendshme për planet për zvogëlim të strukturave drejtuese në këtë ministri kanë shktuar reagim të rreptë të partisë opozitare shqiptare në vend, e cila këtë e sheh si goditje ndaj të punësuarëve shqiptarë në këtë ministri.
Ministër i Brendshëm Pançe Toshkovski ka paralajmëruar se në kuadër të këtij risturimi planifikohet që pozita drejtuese në MPB të hiqen deri në 37 apo 38%. Është fjala për ndihmësa, zëvendësa, zëvëndës-kryeshefa, afër-kryeshefa.
Por BDI e sheh këtë plan se do të ketë pasoja “të drejtpërdrejta në përfaqësimin e drejtë dhe në balancën ndëretnike brenda institucioneve të sigurisë.”
“Deklarimet se këto pozita nuk duhet të lidhen me përkatësi etnike, por vetëm me kritere profesionale, anashkalojnë një nga parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti institucional i vendit – përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Ky parim nuk është kompromis politik, por standard kushtetues dhe element kyç për besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë,” tha BDI në një reagim.
Partia opozitare shqiptare tha se “kur një pjesë e konsiderueshme e këtyre pozitave mbahen nga shqiptarë, shfuqizimi i tyre pa mekanizma të qartë për garantimin e përfaqësimit krijon rrezik real për prishjen e balancës së arritur ndër vite,” dhe kërkoi “transparencë të plotë” mbi sistematizimin e ri, kriteret e përzgjedhjes dhe mënyrën konkrete se si do të garantohet përfaqësimi i drejtë në strukturat drejtuese të kësaj ministrie.
“Institucionet e sigurisë nuk mund të trajtohen si hapësirë për eksperimente organizative pa vlerësim të ndikimit të tyre politik dhe shoqëror. BDI vlerëson se çdo reformë në këtë sektor duhet të forcojë profesionalizmin, por njëkohësisht të ruajë balancën ndëretnike dhe besimin institucional. Çdo devijim nga këto parime do të ketë pasoja afatgjata për funksionimin demokratik dhe për kohezionin shoqëror në vend,” tha BDI.
