Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot emërimin e ambasadorëve të Shqipërisë në Katar dhe në NATO.
Me dekrete të veçanta, Begaj dekretoi emërimin e Jeta Krekës në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës se Shqipërisë në Shtetin e Katarit, rezident.
Po ashtu Kreu i Shtetit dekretoi emërimin e Bardhyl Kollçakut në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës se Shqipërisë në NATO, rezident.
Në 23 shkurt, Kreka dhe Kollçaku morën miratimin e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, në një seancë dëgjimore ku paraqitën vizionin e tyre për përfaqësimin e Shqipërisë në këto dy seli diplomatike.
Kreka e cilësoi Katarin partner me interes strategjik, ndërsa theksoi nevojën për forcimin e lidhjeve ekonomike.
Ndërsa Kollçaku përmendi ndër prioritetet e punës së tij, nxitjen e angazhimit për rritjen e vëmendjes të Aleancës për Ballkanin Perëndimor si dhe nxitjen e ndërveprimit dhe rolit të Aleancës në garantimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon.
