Begaj pret përfaqësuesit e fondacionit “Konrad Adenauer”: Shqipëria po avancon në procesin e anëtarësimit në BE

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 shtator, Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj, priti sot përfaqësuesit gjermanë të fondacionit “Konrad Adenauer”, Dieter Althaus, ish-kryeministër i Landit të Turingisë dhe anëtar i bordit si dhe drejtuesin aktual të këtij fondacioni në Shqipëri, Thomas Kunze.

Kreu i Shtetit shprehu falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe për rolin e rëndësishëm që fondacioni “Konrad Adenauer” po luan në vendin tonë në mbështetje të reformave që synojnë forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

Presidenti theksoi se Shqipëria po avancon në mënyrë të qëndrueshme në procesin e anëtarësimit në BE, me fokus te reformat, sundimi i ligjit dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë, duke vijuar harmonizimin me standardet dhe politikat e BE-së për të arritur në mbylljen e kapitujve në fund të vitit të ardhshëm.

Gjatë takimit u theksua se marrëdhëniet e shkëlqyera politike duhet të shoqërohen me forcimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe turistike.

artikuj të ndërlidhura