Berisha: Deklaratat e Vuçiç për devijimin e Ibrit, destabilizuese

Nga D. V.
460 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i konsideroi sot destabilizuese deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç për devijimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se deklaratat e fundit të Vuçiçit u dënuan edhe nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara.

“Se të kërcënosh se do përdorësh etjen si armë do të thotë se racizmi yt dhe barbaria jote shkon në nivele mitologjike. Duke harruar se jetohet në një realitet ku ka ligje ndërkombëtare, të cilat diktojnë qëndrimin ndaj ujërave, liqeneve, lumenjve”, tha ai.

Sipas Berishës, “ujërat dhe lumenjtë në territorin e Kosovës nuk mund t’i prekë askush”.

“Liqenet në Kosovë janë ndërtuar nga ish-Jugosllavia e Titos dhe janë brenda territorit administrativ të Kosovës. Po të jetë puna për të përdorur armë të tilla, atëherë ai që imagjinon këto është i qartë kundër paqes në rajon, ndaj dhe erdhi reagimi i djeshëm si i Bashkimit Evropian, ashtu dhe i Departamentit të Shtetit”, shtoi ai.

Berisha komentoi edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për këtë çështje, ndërsa u shpreh se “me asgjë nuk mund të lajë Edi Rama shërbimet antishqiptare që i ka bërë Beogradit”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër