Berisha: Demokratët të mbështesin me të gjitha mundësitë protestën qytetare

Nga D. V.
567 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së se qeveria po ndërmerr veprime për të penguar protestën qytetare që po zhvillohet në vend.

Berisha deklaroi se, qëndrimi i qeverisë dhe i mbështetësve të saj ndaj protestuesve është një nga aktet më të rënda ndërsa e cilësoi protestën si një reagim të rëndësishëm qytetar.

“Kjo protestë e ka zhveshur para gjithë botës moralin, fytyrën dhe karakterin e vërtetë të tij”, tha Berisha, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor institucione shtetërore dhe administratën për të ndikuar në perceptimin publik të protestës.

Sipas tij, qeveria ka angazhuar policinë, shërbimet informative dhe punonjës të administratës për të krijuar, siç u shpreh ai, “llogari false në mediat sociale” me qëllim uljen e ndikimit të protestës.

Duke iu referuar kritikave se protesta po ndikon në turizëm, Berisha tha se përgjegjësia, sipas tij, lidhet me politikat ekonomike të qeverisë dhe jo me protestat.

“E vërteta është se sot si kurrë më parë, plazhet e vendit janë bosh, jo gjysmë bosh, por shumë më tepër se gjysmë bosh, nga Saranda në Shëngjin dhe më lart”, deklaroi ai.

Berisha përmendi si faktorë ndikues zhvlerësimin e euros dhe rritjen e kostove për turistët, duke argumentuar se çmimet në Shqipëri janë bërë më pak konkurruese.

Ai kritikoi gjithashtu politikat ndaj industrive eksportuese, duke përmendur sektorin e këpucëve dhe industrinë fason, ndërsa akuzoi qeverinë se ka dëmtuar klimën ekonomike.

Sipas tij, qëndrimet ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë ndikuar gjithashtu në perceptimin ndaj Shqipërisë.

Në vijim të fjalës së tij, kreu i PD-së u bëri thirrje demokratëve dhe mbështetësve të opozitës që të angazhohen në mbështetje të protestës.

“Përshëndes përzemërsisht ata dhjetëra mijëra shqiptarë të pamposhtur që vazhdojnë uraganin e lirisë dhe i ftoj demokratët e demokratet në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë të mbështesin me të gjitha mundësitë e tyre këtë protestë”, tha Berisha.

Ai kundërshtoi thirrjet që lidhen me përçarjen e opozitës dhe deklaroi se protesta, po dobëson qeverinë.

“Protesta po firmos fundin e një sundimtari më të keq që ka pasur Shqipëria pas Enver Hoxhës”, u shpreh Berisha.

Ai e cilësoi protestën si një kauzë të drejtë dhe u bëri thirrje strukturave të Partisë Demokratike që të vijojnë mobilizimin në mbështetje të saj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër