Tiranë, 06 tetor, Zhurnal.mk – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj qeverisë, duke e akuzuar për përfshirje në një skemë të trafikut të armëve.
Në një deklaratë për mediet sot nga selia blu, Berisha tha se skema e pretenduar e trafikut të armëve dhe lidhja e ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni me Roni Yeffet, sipas tij, është një akt i rëndë ndaj vendit dhe aleancës së NATO-s.
“Të dhëna të pakundërshtueshme faktojnë se Edi Rama është kujdesur në maksimum që fitimet e tij të kenë si burim tregtinë e armëve, kontrabandën e armëve. Historia e të famshmit Roni Yeffet është histori personale e Edi Ramës”, tha Berisha.
Berisha iu referua edhe deklarimeve të Vlora Hysenit në Komisionin e Sigurisë, lidhur me marrëdhëniet me Ergys Agasin.
“Ndërkohë, unë më duhet t’ju rikujtoj këtu, për të pasur të qartë pushtetin e tij, se në Komisionin e Sigurisë, Vlora Hyseni, e pyetur për lidhjet me Ergys Agasin, ka mohuar të ketë ndonjë lidhje të veçantë me të dhe ka deklaruar se bashkëjetonte me Roni Yeffet”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, kjo dëshmon për një ndikim të dyfishtë mbi Shërbimin Informativ.
“E kuptoni se si është i ngërthyer i quajturi Shërbimi Informativ Kombëtar? Në njërën anë Agasi, në anën tjetër Roni Yeffet. Kur e dëgjova këtë fjalë, mendova se ishte një shpoti, por burime të besueshme më thanë mua se ajo ka shprehur një të vërtetë: Shërbimi Informativ ishte vënë nën një kontroll të dyfishtë, të Agasit dhe Roni Yeffet”, vijoi Berisha.
“Kjo është një nga skemat më mafioze. Një vend anëtar i NATO-s që aplikon skemë të tillë mafioze në fushën e mbrojtjes, kryen një akt shumë të rëndë ndaj vendit të tij, por edhe ndaj Aleancës”, tha Berisha.
Kreu i PD, tha se “të gjitha provat tona do t’i dorëzojmë në institucionet, në SPAK, por do t’i dërgojmë edhe në institucionet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe partnerëve tanë. Ne do të informojmë të gjitha ministritë e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe vetë Aleancën”.
