Berisha fton qytetarët të dalin në rrugë: Protestë kundër ligjit që mbron Edi Ramën

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri thirrje sot, në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit, për një mobilizim qytetar kundër ndryshimit të ligjit për pezullimin e ministrave, i cili sipas tij forcon pozitat e kryeministrit Edi Rama dhe të strukturës së tij politike.

Berisha e cilësoi ligjin si një mburojë për kryeministrin Edi Rama dhe akuzoi mazhorancën se po vepron si pushtues ndaj qytetarëve.

“Edi Rama merr të gjitha fuqitë nëpërmjet 83 mandateve të krimit. Ligji që ka paraqitur në parlament është në kundërshtimin më flagrant me Kushtetutën. Ligji është një mburojë për Edi Ramën dhe familjen e tij, për organizatën kriminale që kryeson që të vjedhë duke i shpëtuar ligjit, duke qëndruar mbi ligjin”, tha Berisha.

Ai paralajmëroi se pasojat e këtij ligji do të jenë të jashtëzakonshme për jetën e përditshme dhe ekonominë e vendit.

“Pasojat e këtij ligji janë të jashtëzakonshme. Sot e tutje, shqiptarët ditë e natë do vidhen nga një grup që sillet ndaj tyre me pamëshirësinë më të madhe. Nga një grup individësh që sillet në armiqësi më të thellë ndaj qytetarëve. Dhe do kenë mburojë ligjin Rama”, u shpreh Berisha.

Berisha ftoi qytetarët të dalin nesër në orën 18:00 në rrugët dhe sheshet e Tiranës, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një akt guximi epik për të mbrojtur qytetarët, pasuritë dhe të ardhmen e tyre nga ajo që ai e përshkroi si një “organizatë kriminale me në krye Edi Ramën”.

“Ftoj shqiptarët të thonë fjalën e tyre me guxim epik nesër në ora 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Vetëm qytetarët, vetëm guximi i tyre i hekurt, vetëm vendosmëria e tyre do t’i vendosë këtë organizatë kriminale me në krye Edi Ramën para ligjit dhe do mbrojë qytetarët shqiptarë, do mbrojë pasuritë e tyre, do mbrojë të ardhmen e tyre nga një bandë armiqësore si këta”, tha Berisha.

Berisha, deklaroi sot se Gjykata Kushtetuese po shkel Kushtetutën dhe e cilësoi institucionin në “ditën e saj më të zezë”.

Berisha akuzoi kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgjin, dhe të tjerët se nuk po respektojnë të drejtën e prokurorit të SPAK për të pezulluar ministrin kur hapet një çështje penale, duke e cilësuar këtë si një shkelje të hapur të Kushtetutës.

“Gjykata Kushtetuese është në ditën e saj më të zezë, sepse po shkelmohet Kushtetuta vetëm për faktin se Edi Rama është në rreth të kuq,” tha Berisha.

Kreu i opozitës shtoi se miratimi i ndryshimeve ligjore pa respektimin e normave kushtetuese do të dëmtonte rëndë funksionimin e sistemit ligjor dhe parimet e drejtësisë në vend.

Berisha komentoi edhe mbi protestën e parashikuar për nesër në Tiranë, duke e cilësuar atë si një “kryengritje paqësore”.

Berisha shpjegoi se skenari i protestës mbetet ende mister dhe nuk ka përcaktuar çdo detaj të veprimeve, por theksoi se thirrja e tij është për një demonstrim paqësor. Ai deklaroi gjithashtu se eurodeputeti David McAllister është “në të njëjtën linjë” me të për mënyrën e organizimit të protestës, duke respektuar parimet demokratike.

I pyetur lidhur me mundësinë që në protesta të përfshihen edhe veprime të dhunshme, Berisha pranoi se mund të ketë individë të dëshpëruar që kryejnë akte të tilla, por theksoi se thirrja zyrtare mbetet për një manifestim paqësor dhe të organizuar.

postime të lidhura

Shkruani një koment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy