Tiranë, 09 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu sot mbështetjen për lëvizjen qytetare të organizuar prek disa ditësh tashmë kundër investimit në Zvërnec, ndërsa theksoi se kjo lëvizje nuk është organizuar nga PD.
Në fjalën e mbajtur në konferencën e Partisë Popullore Europiane (EPP) që po zhvillon punimet në Sarajevë, Berisha theksoi se kjo është një lëvizje qytetare, shumë e fuqishme dhe duhet të përfundojë në mënyrë paqësore, duke zgjidhur krizën e rëndë që ka përfshirë Shqipërinë sot.
Ai e përshkroi Shqipërinë si një vend që ndodhet “në sallën e urgjencës” dhe në një krizë të thellë politike, institucionale dhe shoqërore.
Sipas tij, problemi themelor i Shqipërisë mbetet mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat ai i cilësoi si “farsë e dokumentuar nga institucionet ndërkombëtare”.
Në këtë kontekst, ai përsëriti kërkesën për një qeveri kujdestare që do të garantonte një proces zgjedhor të drejtë dhe të standardeve demokratike.
“Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës. Është në një dhomë urgjence. Po përballet me protesta që nuk janë parë më parë”, deklaroi kreu i PD-së Sali Berisha, duke akuzuar qeverinë për qasje cinike dhe injorim të krizës në rritje.
Kryetari i PD-së paralajmëroi se situata mund të degradojë në përplasje serioze nëse nuk gjendet një zgjidhje paqësore, duke theksuar se “lëvizja është e pandalshme” dhe se ajo nuk përfaqëson vetëm një forcë politike, por një reagim më të gjerë qytetar.
“Vendi im ka nevojë për një zgjidhje paqësore dhe civile, duke shmangur një përplasje të mundshme që mund ta kthejë vendin shumë vite pas ose në një regres të rëndë. Lëvizja është e pandalshme. Ju them këtë: nuk është vetëm një lëvizje e partisë sime, por është e pandalshme”, tha Berisha.
Sipas tij, “është me rëndësi themelore që kjo të merret seriozisht dhe të gjendet një zgjidhje paqësore, me një qeveri kujdestare që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.
“Por, më e rëndësishmja është zgjidhja e kësaj krize në mënyrë të qytetëruar dhe paqësore, duke shmangur çdo përplasje që mund të ndodhë nëse qeveria vazhdon të sillet në këtë mënyrë, duke i injoruar apo duke i trajtuar si të pavlefshëm, etj.”, shtoi ai.
Po ashtu, Berisha tha “është shumë e rëndësishme të mbahet gjallë shpresa e kombeve tona për një të ardhme evropiane si e ardhmja më e mirë”.
“Besoj se çështja më themelore për vendet tona, e cila në njëfarë mënyre i dëmton në rrugën drejt Bashkimit Evropian, është dobësia dhe mosrespektimi i shtetit të së drejtës. Nuk ka asgjë më themelore se sa forcimi i shtetit të së drejtës për t’i bërë qytetarët më të lirë. Kuptimi i këtij procesi është që qytetarët e vendeve tona të bëhen më të lirë, më të begatë dhe më të sigurt”, u shpreh ai.
“Sot vendi im është në një gjendje të rëndë, në një lëvizje të jashtëzakonshme qytetare dhe rinore. Edhe pse slogane të ndryshme ekzistojnë, thelbi është shkelja e shtetit të së drejtës kombëtar dhe ndërkombëtar. Në zonën e Zvërnecit, që është një lagunë, duhet respektuar ligji, ‘Natura 2000’ dhe direktivat e BE-së për habitatet dhe shpendët”, tha Berisha.
