Berisha: Raporti i PPE sugjeron qeverinë teknike si zgjidhje për proces zgjedhor të lirë

Nga D. V.
915 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 korrik, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane (PPE) ka miratuar një raport dhe një rezolutë për Shqipërinë që paraqesin një panoramë kritike mbi situatën politike dhe institucionale në vend.

Në një konferencë për mediet, Berisha tha se gjatë punimeve të Asamblesë Politike të PPE-së, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Partisë Demokratike, Shqipëria ishte në qendër të diskutimeve pas Ukrainës.

Sipas tij, raporti i misionit faktmbledhës të PPE-së, i zhvilluar më 26-27 shkurt 2026, e përshkruan Shqipërinë si një “shtet të kapur”, ku zgjedhjet zhvillohen në kushte të një “farse elektorale”, ndërsa pushtetet, mediat dhe sistemi i drejtësisë janë të përqendruara dhe të kontrolluara nga qeveria.

Berisha deklaroi se raporti ngre shqetësime për kapjen e shtetit nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafiku i drogës, si edhe për përdorimin e patronazhistëve, blerjen e votës dhe përfshirjen e grupeve kriminale në proceset zgjedhore.

“Raporti është një pasqyrë e veçantë, besnike si asnjëherë më parë në historinë e vendit e Shqipërisë, regjimit të Edi Ramës, regjimit që ka shndërruar zgjedhjet në farsë elektorale, regjimit që ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë, që kontrollon mediat dhe drejtësinë, regjimit të bazuar në kapjen e shtetit, drogën, krimin dhe korrupsionin. Kurrë ndonjëherë në ndonjë raport ndërkombëtar, të vërtetat e hidhura të Shqipërisë nuk kanë dalë aq qartë sa në këtë raport”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, Shqipëria është një shtet i kapur nga krimi, droga, organizatat kriminale, ka zhdukur linjën ndarëse midis institucioneve të shtetit dhe strukturave partiake.

Berisha tha gjithashtu se raporti trajton çështje që lidhen me koncesionet, partneritetet publike-private (PPP) dhe prokurimet publike.

Kreu i PD-së theksoi se një nga rekomandimet kryesore të raportit është krijimi i një qeverie teknike, e cila, sipas tij, konsiderohet si zgjidhja për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Raporti sugjeron qeverinë teknike si zgjidhje për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Mbështet PD-në në të gjitha përpjekjet e saj në kushtet më të vështira”, tha Berisha.

Berisha nënvizoi gjithashtu se “rezoluta e PPE i jep mbështetje të fuqishme protestës rinore qytetare në Tiranë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër