Bie numri i vrasjeve në Kosovë

Nga D. V.
877 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 20 korrik, Zhurnal.mk – Numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar rënie gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga janari deri në qershor janë regjistruar 13 vrasje, gjashtë më pak se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Megjithatë, vlerësohet se nevojitet bashkëpunim më i ngushtë mes institucioneve të drejtësisë për të parandaluar krimet e rënda dhe për të forcuar sigurinë në vend.

Si masë parandaluese të përdorimit të armëve që rezultojnë edhe me vrasje, Policia ka ndërmarr konfiskimin e armëve pa leje.

“Një ndër masat parandaluese të përdorimit të armëve që rezultojnë edhe me vrasje, është konfiskimi i armëve pa leje, kështu gjatë vitit 2025 policia ka konfiskuar 1931 armë të ndryshme dhe 39116 copë fishekë kalibrash të ndryshme”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

E, eksperti i sigurisë, Refki Morina thotë se asnjë problem e konflikt nuk mund të zgjidhet me dhunë. Ai bëri thirrje që institucionet shtetërore në bashkëpunim me ato shoqërore të koordinojnë punët e tyre në mënyrë që të minimizohen këto vepra penale.

“Asnjë shoqëri në botë, edhe shoqëria jonë përmes dhunës nuk mund të zgjidh konfliktet. Parandalimi i rasteve të tilla, vrasjeve e plagosjeve fillon nga familja, përmes shkollës, përkrahjes së policisë, pastaj të gjykatave, prokurorisë në mënyrë që ato të jenë më azhure dhe më të shpejta në zgjedhjen e lëndëve. Institucionet shtetërore dhe shoqërore të koordinojnë punët e tyre në mënyrë që të minimizojnë këto vepra penale që janë më të rëndat në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Morina.

Përkundër këtyre rasteve, sipas Morinës, Kosova mbetet vend i sigurt për të jetuar falë Policisë dhe gjyqësorit që ka. Mirëpo sipas tij, duhet të ketë më shumë koordinim mes prokurorisë dhe gjykatave.

“Përkundër vrasjeve që kanë ndodhur kohëve të fundit, Kosova është e sigurt sepse kemi një Polici që është shumë profesionale, kemi gjyqësorin, prokurorinë që janë të njohur edhe ndërkombëtarisht si institucione kredibile por edhe profesionale. Prandaj duhet një punë sistematike edhe institucionet e sigurisë, do të thotë patrullime të vazhdueshme ku mendohet se ende ka armë ilegale. Patrullime në lokalet e natës, patrullime të ndryshme por edhe një koordinim i mirëfilltë mes prokurorisë dhe gjykatave në mënyrë që të jenë më vigjilente dhe sa më efikase në zgjedhjen e lëndëve”, u shpreh ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër