Miratohet raporti me amandamente për Projektligjin për rekrutimin dhe integritetin e gjyqtarëve e prokurorëve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 24 nëntor, Zhurnal.mk – Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka miratuar raportin me amendamente për Projektligjin nr. 11/L-007 për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, raporton Ekonomia Online.

Raporti u miratua me gjashtë vota për, dy kundër dhe dy abstenime.

Gjatë mbledhjes, anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, prezantoi raportin, duke bërë të ditur se ai përmban gjithsej 21 amendamente, të cilat janë hartuar pas konsultimeve me akterë të ndryshëm institucionalë dhe organizata të shoqërisë civile.

“Ka organizuar disa takime me pjesëmarrje të gjerë të akterëve institucionalë, organizatave të ndryshme të shoqërisë civile, partnerëve tanë ndërkombëtarë. Dhe si rrjedhojë ka prodhuar një raport me 21 amendamente, të cilin e keni para jush dhe që i sillet komisionit natyrisht për shqyrtim dhe për miratim”, deklaroi Rrustemi.

Ai tha se nuk do të ndalej në shpjegimin e amendamenteve veç e veç, duke ia paraqitur raportin komisionit për shqyrtim dhe miratim.

Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, shprehu vështirësi në vlerësimin e procesit të punës së grupeve punuese, duke thënë se raportet e paraqitura nuk ofrojnë një pasqyrë të plotë të diskutimeve.

Ajo theksoi se, për shkak të mbajtjes së grupeve punuese në të njëjtën kohë, nuk kishte arritur të ishte e pranishme në të gjitha takimet.

“Është pak vështirë vetëm prej raporteve me kuptu mbarëvajtjen e grupeve punuese. Fatkeqësisht, unë për arsye që ju thashë më herët, sepse janë mbajtur grupet punuese paralele, unë nuk e kam pasë mundësinë me qenë prezent në të gjitha sikurse kam synu”, tha Kica-Xhelili.

Ajo shtoi se gjatë këtyre diskutimeve janë trajtuar edhe çështje thelbësore, të cilat, sipas saj, janë ngritur vazhdimisht si shqetësime.

“Kanë qenë të paktën dy-tri gjëra goxha thelbësore që janë diskutuar shpesh dhe janë ngrit si shqetësime”, u shpreh deputetja e LDK-së.

artikuj të ndërlidhura