Granit Xhaka mund të përballet me një dënim deri në pesë vjet burg nëse shpallet fajtor për çështjen e certifikatës së COVID-19, për të cilën ndaj tij është hapur hetim nga autoritetet zvicerane.
Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës dyshohet se kishte siguruar një certifikatë vaksinimi kundër COVID-19 pa qenë i vaksinuar. Prokuroria e Lucernës ka hapur procedurë ndaj tij dhe një mjekeje nga Lucerna, ndërsa Xhaka pritet të merret në pyetje në fillim të tetorit.
Sipas ekspertit të së drejtës penale, Andre Kuhn, të cilin e citon “Blick”, falsifikimi i dokumenteve në Zvicër mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Xhaka do të dënohet me pesë vjet burg. Kuhn ka theksuar se disa faktorë mund të ndikojnë në uljen e dënimit, ndërsa për personat pa precedentë penalë mund të merret parasysh edhe një dënim me gjobë dhe me kusht.
“Falsifikimi i dokumenteve mund të dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet”, ka shpjeguar Kuhn për “Blick”.
Ai ka shtuar se një person pa precedentë penalë mund të përballet me një dënim financiar me kusht, ndërsa krahas tij mund të shqiptohet edhe një gjobë deri në 10 mijë franga zvicerane.
Xhaka ndërkohë ka pranuar se kishte siguruar certifikatën e vaksinimit dhe ka thënë se e konsideron atë vendim si gabim.
“Në atë gjendje të trazuar emocionale, sigurova një certifikatë vaksinimi, në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia përmes kanaleve të duhura. Sot e kuptoj qartë se kjo ishte qasje e gabuar. Ishte një gabim. Më vjen keq. Marr përgjegjësinë për këtë vendim”, kishte deklaruar Xhaka.
33-vjeçari do të merret në pyetje nga autoritetet zvicerane në fillim të tetorit, ndërsa më pas pritet të vendoset se si do të vazhdojë procedura ndaj tij.

