Prishtinë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Bllokada në Kuvendin e Kosovës po rrezikon zbatimin e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe mund të vërë në rrezik afro 60 milionë euro fonde deri në fund të muajit qershor, u tha në takimin e parë të Komitetit Monitorues BE–Kosovë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, raporton Ekonomia Online.
Koordinatori Kombëtar i Kosovës për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, tha se Kosova ishte ndër vendet e para të rajonit që përmbylli me sukses negociatat me Bashkimin Evropian për agjendën reformuese, por se procesi i ratifikimit të marrëveshjeve u vonua për shkak të bllokadave në Kuvend.
“Kosova ishte ndër vendet e para të rajonit që kishte përmbyllur negociatat me BE-në me sukses për reformat e planit të rritjes në verën e vitit 2024. Më pas qeveria ka miratuar agjendën e reformave, pa vonesa më 9 tetor 2024. Pastaj bllokadat që shkojnë në Kuvend e vonoi ratifikimin duke vonuar kështu edhe zbatimin e reformave, duke vonuar edhe këtë takim i cili sigurisht që do të duhej të mbahej më herët”, tha ai.
Zulfaj rikujtoi se Kuvendi ratifikoi marrëveshjet për instrumentin dhe huanë më 13 shkurt të këtij viti, ndërsa fondet e para të parafinancimit u pranuan në muajin prill.
“Me 13 shkurt të këtij viti Kuvendi ka ratifikuar dy marrëveshjet e këtij instrumenti, marrëveshjen për instrumentin dhe marrëveshjen për huanë. Menjëherë pas kësaj me 19 mars të këtij viti Qeveria miratoi vendimin për sistemin e zbatimit të këtij instrumenti. Më pas me 16 prill kemi filluar të pranojmë fondet e para të parafinancimit nga Plani i Rritjes në shumën prej 61.8 milionë euro”, tha ai.
Sipas tij, bllokada aktuale në Kuvend po pengon miratimin e reformave që lidhen kryesisht me legjislacionin dhe mund të ketë pasoja financiare për vendin.
“Vonesat nga viti i kaluar në Kuvend, siç e thashë edhe në fillim, kanë vonuar ratifikimin e marrëveshjeve si dhe zbatimin e reformave. Fatkeqësisht bllokada në Kuvend vazhdon këtë vit duke vonuar tutje reformat e nevojshme që kryesisht janë ligje që duhet kaluar në Kuvend. Si pasojë e kësaj bllokade në fund të këtij muaji në qershor tashmë mund të rrezikohen 9 hapa në shumë prej afër 60 milionë euro nga Plani i Rritjes”, tha Zulfaj.
