Tiranë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ngriti shqetësimin për nivelin e ulët të ekzekutimit në kohë të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), gjatë një takimi të nivelit të lartë të zhvilluar në Berlin.
Takimi u organizua nga ministrja gjermane e Drejtësisë, Stefanie Hubig, në bashkëpunim me Rrjetin Evropian të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (ENNHRI), dhe iu kushtua sfidave që lidhen me zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut.
Gjatë diskutimeve, Shabani theksoi se vetëm 25% e vendimeve të GJEDNJ-së për Shqipërinë arrijnë të ekzekutohen brenda afateve.
Sipas tij, ky ngadalësim institucional cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve te drejtësia dhe te shteti i së drejtës.
“Një vendim gjyqësor e përmbush qëllimin e tij vetëm kur kthehet në përmirësim konkret të jetës së qytetarëve, duke ndryshuar ligjet dhe duke parandaluar shkeljet e ardhshme”, u shpreh Shabani.
Ai nënvizoi se çdo vendim i paekzekutuar përfaqëson një qytetar që ka fituar të drejtën e tij në Strasburg, por që ende pret drejtësi në Shqipëri.
Avokati i Popullit bëri të ditur se institucioni do t’i paraqesë gjetjet e monitorimit të tij drejtpërdrejt pranë Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, organi përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve detyruese të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas Shabanit, llogaridhënia e institucioneve ekzekutive dhe bashkëpunimi me Kuvendin mbeten elementë kyç për ta kthyer procesin e koordinimit nga një detyrim formal në një mekanizëm efektiv zbatimi të vendimeve të Strasburgut.
