Boçi: Reforma Territoriale ka shkelje kushtetuese, ndihmë ndërkombëtarëve për referendum

Nga D. V.
1,074 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 6 gusht, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, tha sot se opozita po shqyrton të gjitha opsionet për të kundërshtuar reformën, përfshirë një ankim në Gjykatën Kushtetuese dhe nismën për zhvillimin e një referendumi.

Në një prononcim për mediet, Boçi tha se reforma është hartuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, duke anashkaluar procedurat e parashikuara.

“Me shkeljet kushtetuese që janë bërë, me një ankimim të thjeshtë kushtetues ti e rrëzon reformën, nëse Gjykata Kushtetuese do e vlerësonte. Do të kishte një mbledhje shumë të shpejtë, pasi ka shkelje kushtetuese në vazhdimësi. Ne i referohemi nenit 108, pika 2, i referohemi ligjit të vetëqeverisjes vendore 89/90, ligjit për konsultimet publike. Këta i kanë kapërcyer të gjitha procedurat, po shkelin çdo gjë, vetëm që të realizojnë qëllimin e tyre”, tha ai.

Boçi tha se opozita do të kërkojë edhe mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë për nismën e referendumit.

“Do të komunikojmë me ndërkombëtarët, do të kërkojmë edhe mbështetjen e tyre për referendum, me gjithë autoritetet, edhe me Kongresin, edhe me BE. Referendumi është i vështirë, pasi është tentuar disa herë, por ligji shqiptar cedon, pasi është bërë për të mos u bërë referendum, dhe në rastin konkret, po të ketë vullnet politik, gjendet zgjidhja. Do t’i drejtohemi KQZ-së që të marrë një vendim në raport me një referendum”, tha ai.

Boçi theksoi se ndarja e re territoriale e propozuar nga mazhoranca socialiste është ndërtuar mbi interesa politike dhe elektorale.

“Po, është hartë politike. Marrim shembullin Pukë dhe Fushë-Arrëz, janë bashki të fituara nga PD dhe sot bashkohen. Me çfarë parimi veproi? Parimi i një bashkie që ka të ardhura më të mëdha? Por kanë të njëjtat. Po kështu dalim te Librazhd-Përrenjas. Këtu PD humbet një territor politik. Vazhdojmë me Selenicën. Selenica ka pasur drejtim të djathtë, ka tendencë të tillë dhe tani e fusin në gropën e madhe të votave të Vlorës. Dhe dalim në Elbasan. Belshi është një bashki që ndahet në vota, 300 plus që lëvizin dhe kanë lëvizur në këtë rend, dhe duke e ndërfutur në Elbasan vetëm për vota politike”, u shpreh Boçi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër