Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, kërkoi sot nga kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) zgjidhjen e ngërçit për bojkotin e avokatëve kundër rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë diskutimeve në komision, Xhafaj theksoi se shqetësimi kryesor nuk është përmbajtja e rregullores, por pasojat që po sjell konflikti mes palëve për qytetarët dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Ai nënvizoi se Kuvendi nuk synon të ndërhyjë në vendimmarrjen e gjykatave, por kërkon që institucionet përgjegjëse të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar. Sipas tij, KLGJ-ja dhe palët e përfshira mund të diskutojnë nëse rregullorja duhet të mbetet në fuqi apo ka nevojë për përmirësime.
Xhafaj kërkoi që ngërçi të zgjidhet sa më shpejt, duke paralajmëruar se pasojat e tij lidhen me zvarritjen e proceseve gjyqësore, rritjen e numrit të çështjeve të prapambetura dhe cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor.
“Për këtë ngërç shqetësohet një qytetar i zakonshëm, ka apo nuk ka halle. Është një anomali brenda një pushtetit. Ne nuk na shqetëson rregullorja në vetvete. Ne na intereson ngërçi i krijuar, efektet e të cilit janë në kohëzgjatjen, rritjen e backlogut, procesin e rregull ligjor dhe në efiçencën e sistemit. Kjo na shqetëson. Zgjidhjen nuk mund t’ia japim ne.
Ndërhyrja jonë është sipas Kushtetutës, që mund të shkojë edhe në masa shumë ekstreme për Këshilli, sipas meje. Por, këtu ne nuk ndërhyjmë tek çështjet e brendshme të gjykatës, ne nuk ndërhyjmë në vendimmarrjen e gjykatave dhe as, as e mendojmë, jo të guxojmë ta bëjmë këtë gjë. Por kur ka një ngërç të tillë me efekte, padyshim ne themi: Zgjidheni!
Mund të jetë e drejtë rregullorja, i ktheni përgjigje Dhomës së Avokatisë dhe i thoni: kjo rregullore është e drejtë për Këshillin dhe Këshilli do ta ketë standard. Kjo rregullorja ka nevojë të përmirësohet. I kërkoni atyre ta përmirësojmë. Kjo është një çështje vendimmarrja juaj, ne na intereson ngërçi të zgjidhet”, tha Xhafaj
Edhe deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, kërkoi ndërhyrjen e Kuvendit për të nxitur dialogun mes institucioneve dhe palëve të përfshira.
“Thirrja ime është që Kuvendi i Shqipërisë, ky komision, të nxisë dialogun dhe të gjejë zgjidhje. Nuk mundet që ky konflikt të vazhdojë pa afat, kur është i panevojshëm dhe shumë lehtësisht i zgjidhshëm”, deklaroi Xhixho.
Ndërkohë kreu i KLGJ-së, Ilir Rusi, sqaroi se qëndrimi i institucionit është se rregullorja është në kompetencën e Gjykatës së Posaçme dhe se palët që kundërshtojnë përmbajtjen e saj duhet t’i drejtohen gjykatës. Sipas Rusit, edhe grupi i mediave i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.
“Qëndrimi deri tani i Këshillit, i iniciuar nga mediat, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, është që ajo rregullore është në kompetencë të Këshillit të asaj gjykate dhe të gjithë ata që kanë kundërshtime në lidhje me përmbajtjen e saj, t’i adresohen Gjykatës. Në dijeninë time di që grupi i mediave i është adresuar gjykatës Kushtetuese në lidhje me përmbajtjen e saj. Ky është qëndrimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor”, tha Rusi.
