Botërori 2026: Norvegjia dhe Anglia përballen për një biletë në gjysmëfinale

Nga Xh M
1,505 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Botërori 2026 hyn në fazën vendimtare, teksa sonte në mbrëmje në stadiumin “Hard Rock” në Miami do të zhvillohet një nga përballjet më të shumëpritura të çerekfinaleve. Norvegjia dhe Anglia do të luftojnë për një biletë në gjysmëfinale, në një sfidë ku vëmendja do të jetë e përqendruar te dy sulmuesit më në formë të momentit, Erling Haaland dhe Harry Kane.

Fituesi i këtij takimi do të përballet në gjysmëfinale me skuadrën që do të dalë triumfuese nga çifti Argjentinë–Zvicër.

Norvegjia vjen me moral të lartë pas suksesit historik ndaj Brazilit në fazën e 1/8-ave. Trajneri Ståle Solbakken pritet t’i besojë të njëjtit formacion që eliminoi pesë herë kampionët e botës.

Nyland do të jetë në portë, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Pedersen, Ajer, Heggem dhe Wolfe. Në mesfushë do të luajnë Berge, Berg dhe kapiteni Martin Ødegaard, i cili do të ketë detyrën të organizojë lojën. Në repartin ofensiv, Haaland do të udhëheqë sulmin, i mbështetur nga Sørloth dhe talenti Antonio Nusa.

Edhe Anglia synon të vazhdojë rrugëtimin drejt titullit botëror. Trajneri Thomas Tuchel pritet të bëjë vetëm dy ndryshime në formacion, njëri prej tyre i detyruar pas pezullimit të Quansah.

Jordan Pickford do të mbrojë portën, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen Spence, Guehi, Konsa dhe O’Reilly. Në mesfushë do të luajnë Declan Rice dhe Elliot Anderson, me Jude Bellingham në rolin e organizatorit pas sulmuesit Harry Kane. Në krahët e sulmit pritet të aktivizohen Madueke dhe Gordon.

Përballja pritet të jetë një nga më të fortat e këtij Botërori, me dy skuadra që synojnë gjysmëfinalen dhe me një duel të veçantë mes Haaland dhe Kane, dy prej golashënuesve më të spikatur të futbollit botëror.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër