Bullgaria kërkon fonde për lidhjen hekurudhore me Maqedoninë e Veriut

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Sofje, 24 mars – Ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Bullgarisë, Korman Ismailov, deklaroi se po punohet intensivisht për sigurimin e mjeteve për përfundimin e 2.4 kilometrave të fundit të lidhjes hekurudhore me Maqedoninë e Veriut, gjatë një takimi me ambasadoren e Sllovenisë, Natasha Bergel, raportojnë mediat bullgare.

Ai theksoi se ky është segmenti i vetëm i mbetur në territorin bullgar që duhet të mundësojë lidhjen e plotë hekurudhore mes dy vendeve.

Në shkurt është nënshkruar kontratë me një kompani për ndërtimin e kësaj pjese të hekurudhës, por ende nuk janë siguruar rreth 50 milionë eurot e nevojshme. Për këtë arsye, autoritetet bullgare do të kërkojnë mundësi financimi nga buxheti shtetëror, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.

Ismailov shtoi se ndërtimi i Korridorit VIII ka rëndësi strategjike për mobilitetin ushtarak të NATO-s dhe për lidhjen transportuese në rajon, duke e cilësuar atë si prioritet të ministrisë.

Nga ana tjetër, ambasadorja sllovene vlerësoi se zhvillimi i këtij korridori është i rëndësishëm edhe për Slloveninë si vend anëtar i NATO-s dhe përshëndeti angazhimin e qeverisë bullgare.

artikuj të ndërlidhura