Shkup, 17 nëntor – Mbi 100 amendamente po shqyrtohen në komisionin parlamentar për financim dhe buxhet, i cili diskuton mbi Propozim-Buxhetin për vitin 2026.
Në buxhetin e propozuar për vitin 2026, të ardhurat totale janë projektuar në 374,7 miliardë denarë, ose 6 miliardë euro, ndërsa shpenzimet në 413,9 miliardë denarë, përkatësisht 6,7 miliardë euro. Investimet kapitale janë në nivelin e 40,5 miliardë denarëve, apo 650 milionë euro. Rritja ekonomike është projektuar në 3,8 për qind, inflacioni në 2,5 për qind, ndërsa deficiti buxhetor në 3,5 për qind të BPV-së.
Buxheti parashikon më shumë para për pensione, paga dhe transfere sociale, por e gjitha kjo do të duhet të mbulohet me borxh të ri për të mbyllur hendekun mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Në Propozim-Buxhetin për vitin 2026, janë planifikuar rreth 1,9 miliardë euro për pensione, ndërsa për pagat në sektorin publik 855,3 milionë euro, që paraqet rritje prej 7 për qind krahasuar me këtë vit, kur u ndanë 780 milionë euro.
Ku përfundon një e pesta e parave për paga? Mijëra njerëz janë të punësuar në rreth 300 organe të panjohura shtetërore nga gjithsej 1.371 institucione, të cilat janë formuar nga cilido organ i sektorit publik.
Për këto institucione, agjenci, zavode dhe trupa pothuajse askush nuk ka dëgjuar, megjithatë ato funksionojnë me drejtorë, borde administrative e mbikëqyrëse, kanë automjete zyrtare dhe buxhete të qëndrueshme vjetore. Në regjistrin zyrtar figurojnë gjithsej 14 institucione, të cilat në vitin 2023 nuk kanë pasur asnjë të punësuar, por kanë pasur drejtorë.
Përveç Agjencisë për Teknologji Bërthamore, e cila u mbyll, ekzistojnë: Agjencia për Mbështetjen e Ndërmarrësisë, Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve (ndonëse ekziston edhe një ministri paralele), Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që flitet nga të paktën 20% e qytetarëve të RMV-së, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve…
Krahas Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, në kuadër të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ekzistojnë edhe Shërbimi për Mjedis Jetësor dhe Shërbimi i Sistemit Informativ Hapësinor.
Askush nuk e di se çfarë përfitimi real sjellin këto agjenci me shumë pak të punësuar, përveçse shërbejnë si vende për emërime partiake, kryesisht nga partitë e vogla të koalicionit.
Sipas Regjistrit të të Punësuarve në sektorin publik, në sektorin publik aktualisht janë aktive 1.371 institucione, në të cilat janë të punësuar 128.879 persona.
Si themelues të këtyre institucioneve figurojnë: qeveria me 440 subjekte, komunat dhe Qyteti i Shkupit me 829 institucione, Kuvendi me 31 institucione dhe Presidenti me një subjekt të vetëm.
Numri më i madh i institucioneve janë institucione publike – gjithsej 932. Prej tyre, 550 në fushën e arsimit, 110 në shëndetësi, 128 në kulturë, 127 në punë dhe çështje sociale, 12 në drejtësi (KPU dhe VPU), 4 në mjedis jetësor dhe 1 nga fusha e shoqërisë informatike (MARnet).
Numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve publike është 159, prej të cilave 115 merren me shërbime komunale, 8 me bujqësi dhe pylltari, 17 me transport, 2 me informim, 1 me shoqëri informatike dhe 15 nga fusha të ndryshme të interesit publik (sport, planifikim urban, energji, trajtimi i kafshëve endacake etj.).
Në Regjistrin e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës janë të shënuara gjithsej 14 institucione që në vitin 2023 nuk kishin asnjë të punësuar, por kishin drejtorë.
Ekzistojnë 160 institucione me deri në 10 të punësuar, 505 institucione me deri në 50 të punësuar, 401 institucione me deri në 100 të punësuar, 47 institucione me deri në 500 të punësuar dhe 25 institucione me mbi 500 të punësuar.
Duke analizuar Regjistrin dhe buxhetin e vitit 2024, shihet se për të gjitha institucionet ekzistojnë zëra të veçantë për shpenzimet e operimit.
Ndër to janë Komisioni Rregullator për Banimin me vetëm dy të punësuar dhe buxhet prej 200.000 euro, Inspektorati Shtetëror Valutor me 8 të punësuar dhe buxhet prej 150.000 euro, Inspektorati Shtetëror për Vetëqeverisje Lokale me buxhet prej 130.000 euro, Drejtoria për Shëndetësi Elektronike me 9 të punësuar dhe buxhet të realizuar prej 19 milionë denarësh, Agjencia për Cilësi dhe Akreditim të Institucioneve Shëndetësore me 4 të punësuar dhe buxhet prej 11,5 milionë denarësh për vitin 2024, Agjencia për Mbështetjen e Ndërmarrësisë me 12 të punësuar dhe buxhet prej 81 milionë denarësh, Drejtoria për Siguri Rrezatimi me 8 të punësuar dhe buxhet prej mbi 15 milionë denarësh ose rreth 250.000 euro…
Për financimin e deficitit, planifikohet borxh i ri prej rreth 1,96 miliardë euro, me mundësi të eurobondit të ri dhe kredi nga institucione ndërkombëtare dhe burime të brendshme. Kjo do të thotë se viti 2026 do të kalojë nën kufizime të forta fiskale: më shumë para për qytetarët sot – përkundrejt një borxhi më të lartë nesër.
Debati mbi Propozim-Buxhetin në Komisionin për Financim dhe Buxhet zgjat 10 ditë, pas së cilës, si propozim i plotësuar, dërgohet për shqyrtim dhe miratim në seancën plenare të Kuvendit. Buxheti për vitin 2025 duhet të miratohet deri më 31 dhjetor.

