Shkup, 28 janar – Deklarata e kryeministrit, Hristijan Mickoski, mbrëmë se është i gatshëm ta rrezikojë edhe vetë Qeverinë për projektin “Safe City” është shpërndarë masivisht në kulminacionin e debatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pas dy vitesh qeverisje, kur stabiliteti numerik në Kuvend është i padiskutueshëm për vazhdimësinë e pushtetit, përmendja e hapur e mundësisë së rënies së Qeverisë nuk është më tabu. Ky nuk është vetëm një koment retorikë opozitare është një sinjal i qëllimshëm politik që po ndodhë nga i pari i qeverisë, shkruan Zhurnal.
Normalizimi i pasigurisë si mjet lidershipi –
Kryeministri Mickoski po përpiqet të pozicionohet si lider që është i gatshëm të paguajë çmim politik për një politikë publike që ai e konsideron të drejtë. Në një klimë ku politikanët shpesh akuzohen për kalkulim të ftohtë dhe ruajtje të karriges, kjo retorikë synon të krijojë kontrast moral.
Projekti “Safe City” nuk po paraqitet thjesht si masë teknike për komunikacionin. Me këtë deklaratë, ai ngrihet në nivel simbolik bëhet provë serioziteti shtetëror. Kryeministri e paraqet këtë jo si debat për gjoba, por si përballje mes rendit dhe kaosit, mes shtetit që edukon dhe shoqërisë që toleron shkeljen.
“Qëllimi nuk është të arkëtohen gjoba. Së pari, ekziston tolerancë nëse vozitet deri në 5 kilometra mbi kufirin e lejuar, nuk do të ketë gjobë. Nëse tejkalohet shpejtësia për më shumë se 10 kilometra, atëherë do të ketë sanksione. Por, sërish po e theksoj: qëllimi nuk janë gjobat, por veprimi edukativ dhe parandalues. Nëse kjo Qeveri duhet të bjerë për shkak të ‘Safe City’, e më pas të vijë një Qeveri tjetër që ta shfuqizojë projektin dhe secili të vozisë si të dojë, atëherë në rregull jam i gatshëm ta marr këtë rrezik” ka thënë mbrëmë kryeministri, Hristijan Mickoski, në TV21.
Si qëndron puna brenda koalicionit qeveritar?
Kjo deklaratë e mbrëshme nuk është vetëm për publikun, pasi mund të interpretohet edhe si mesazh i brendshëm politik, duke e ngritur çështjen në nivel “ose kjo politikë, ose Qeveria bie”, kryeministri u dërgon mesazhe për partnerët e koalicionit dhe për deputetët e shumicës. Ai po e shndërron një projekt test të fuqisë së tij në pushtet.
Në këtë kuptim, retorika e rrezikut shërben si mekanizëm disiplinues kush e rrëzon Qeverinë, nuk e rrëzon për një post apo interes, por për një politikë që paraqitet si çështje e sigurisë publike.
Deri tani, forca e Qeverisë është matur me numra në Kuvend. Me këtë dalje, Mickoski po përpiqet ta ndërrojë matësin nga stabiliteti formal te legjitimiteti moral. Ai po sugjeron se një qeveri që heq dorë nga zbatimi i rregullave për të mbijetuar politikisht, e humb arsyen e ekzistencës. Kjo është lëvizje e rrezikshme por strategjike nëse politika shihet si luftë për vlera, atëherë ai pozicionohet në anën e rendit, sigurisë dhe përgjegjësisë.
Megjithatë, kjo qasje nuk është pa kosto. Projekti “Safe City”, që përfshin mbikëqyrje dhe sanksione, mund të perceptohet nga një pjesë e qytetarëve si zgjerim i kontrollit shtetëror. Nëse komunikimi publik nuk mbetet i balancuar mes sigurisë dhe të drejtave, retorika “jam gati të bie për këtë” mund të lexohet si kokëfortësi, jo si parim. Sepse, në fakt nuk përjashtohet edhe mundësia e rrebelimit të qytetarëve duke mos qenë në gjendje të përballojnë kostot e gjobave që brenda një dite dy deri në tre shkelje kanë vlerën e një paga minimale. /Zhurnal.mk

