Christopher Hyland i kërkon LDK-së ta zbatojë Rugovizmin: Hyni në qeveri me Albin Kurtin

Nga Xh M
582 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 23 korrik Zhurnal.mk – Këshilltari amerikan për çështjet e Ballkanit, Christopher S. Hyland, ka bërë thirrje që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, duke argumentuar se kjo do të ishte në frymën politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Në një opinion të titulluar “Rugovizmi është zgjidhja”, Hyland vlerëson se Kosova ndodhet në një bllokadë institucionale të krijuar nga vetë klasa politike dhe se kompromisi është rruga e vetme për tejkalimin e saj.

Ai thekson se Vetëvendosja ka dalë tri herë radhazi forca e parë politike në zgjedhje dhe se rezultati zgjedhor duhet të respektohet.

“Çdo parti, dhe mbi të gjitha Lidhja Demokratike e Kosovës – partia që vetë Ibrahim Rugova e themeloi – duhet më në fund të bëjë hapin përpara, të formojë një qeveri me Kurtin, fituesin e tri zgjedhjeve radhazi, dhe t’i lejojë Kuvendit të zgjedhë kreun e shtetit”, shkruan Hyland.

Sipas tij, bllokimi i zgjedhjes së presidentit dhe i formimit të institucioneve nuk është në përputhje me trashëgiminë politike të Rugovës, të cilën ai e përshkruan si politikë të dialogut, kompromisit dhe bashkëpunimit për të mirën e përbashkët.

Hyland rikujton edhe takimin e tij me Ibrahim Rugovën në Nju Jork në vitin 1992, duke e cilësuar presidentin historik të Kosovës si një lider që vendoste interesin shtetëror mbi atë partiak dhe që kërkonte pajtim edhe në momentet më të vështira.

Në fund të shkrimit, ai u bën thirrje partive politike që të tejkalojnë interesat partiake, të formojnë institucionet dhe ta çojnë Kosovën drejt integrimit evropian.

Christopher S. Hyland është këshilltar veteran diplomatik amerikan, i specializuar në çështjet e Ballkanit. Ai ka qenë pjesë e fushatës presidenciale të Bill Clintonit në vitin 1992, ka mbështetur çështjen e Kosovës për më shumë se tri dekada dhe është dekoruar me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër