Çomo: Shqipëria konfirmon mbështetjen për Arabinë Saudite përballë kërcënimeve rajonale

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Arabi Saudite, Bledi Çomo, shprehu solidaritetin e Shqipërisë me Mbretërinë e Arabisë Saudite përballë sulmeve dhe kërcënimeve që cenojnë sigurinë, popullsinë dhe objektet civile të vendit.

Në një deklaratë, Çomo theksoi se përballja me këto kërcënime shkon përtej sigurisë së një shteti të vetëm, duke ndikuar edhe në stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e rrugëve strategjike detare, përfshirë Detin e Kuq dhe ngushticën Bab el-Mandeb.

“Aktualisht, aktiviteti i grupit Houthi dhe raportimet për bashkëpunimin e tij me organizatën Al-Shabaab përbëjnë shqetësim serioz për sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se të dyja organizatat janë të klasifikuara si terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Arabi Saudite, shpreh solidaritetin tim të plotë me Mbretërinë e Arabisë Saudite, përballë sulmeve dhe kërcënimeve që cenojnë sigurinë e saj, popullsinë dhe objektet civile”, deklaroi Çomo.

Ai nënvizoi se Shqipëria qëndron në krah të partnerëve të saj në këto momente dhe mbështet përpjekjet e Arabisë Saudite për mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë së qytetarëve, stabilitetit rajonal dhe lirisë së lundrimit ndërkombëtar.

“Shqipëria qëndron në krah të miqve dhe partnerëve të saj në këto kohë sfidash të mëdha dhe mbështet përpjekjet e Mbretërisë së Arabisë Saudite për mbrojtjen e sovranitetit të saj, sigurisë së qytetarëve, stabilitetit rajonal dhe lirisë së lundrimit ndërkombëtar!”, përfundon deklarata.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër