Tiranë, 30 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në një deklaratë të përbashkët sot me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se në total, 347 persona kanë mbetur të lënduar gjatë protestave, mes tyre rreth 200 punonjës të Policisë së Shtetit, 107 protestues dhe rreth 20 kalimtarë.
Demo e cilësoi nivelin e dhunës të paprecedentë, duke theksuar se mes të lënduarve ka edhe punonjës policie me dëmtime të rënda, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Vetë këto shifra tregojnë se intensiteti i dhunës ka qenë i paprecedentë. Nga 347 të lënduarit, rreth 200 janë punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë pësuar dëmtime të ndryshme, disa prej tyre edhe të rënda. Fatmirësisht, sot janë jashtë rrezikut për jetën”, deklaroi ministri.
Ai bëri të ditur se gjatë protestave janë lënduar edhe 107 protestues dhe rreth 20 kalimtarë, mes të cilëve edhe gazetarë që po mbulonin zhvillimet.
“Këto shifra janë një kambanë alarmi për nivelin e dhunës, por mbi të gjitha edhe për trajtimin proporcional që Policia e Shtetit duhet të garantojë gjatë menaxhimit të protestave”, u shpreh Demo.
Ministri theksoi se qëndrimi i Ministrisë së Brendshme dhe i Policisë së Shtetit është garantimi i së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, duke respektuar njëkohësisht parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjeve policore.
“Ne garantojmë të drejtën kushtetuese për të gjithë qytetarët për të protestuar paqësisht. Njëkohësisht, angazhimi ynë është i qartë për sa i përket proporcionalitetit të ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, kur konstatohet dhunë”, tha ai.
Demo bëri të ditur se për rastet kur punonjës të policisë kanë ndërmarrë veprime joproporcionale janë marrë masa, duke njoftuar se deri tani janë pezulluar shtatë efektivë.
“Deri tani janë shtatë punonjës të Policisë së Shtetit të pezulluar dhe vijon shqyrtimi i veprimeve të ndërmarra prej tyre”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po trajton dhjetëra raste të referuara nga qytetarët lidhur me veprimet e policisë, si dhe ka nisur hetime për raste specifike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Sipas Demos, këto veprime janë pjesë e angazhimit për transparencë dhe për forcimin e standardeve në marrëdhënien mes Policisë së Shtetit dhe qytetarëve.
“Policia e Shtetit nuk është aty për t’u përballur me dhunën ndaj qytetarëve. Është e qartë se të gjithë duhet të jemi mbështetës të rolit të Policisë së Shtetit në garantimin e sigurisë”, u shpreh ai.
Ministri tha se dhuna gjatë protestave nuk është drejtuar vetëm ndaj institucioneve shtetërore, por edhe ndaj subjekteve private, institucioneve të pavarura dhe individëve, përfshirë kalimtarët e rastit.
Duke iu referuar angazhimit të qeverisë, Demo theksoi se prioritet mbetet garantimi i sigurisë dhe rendit publik, respektimi i proporcionalitetit dhe përdorimi i mekanizmave ligjorë për të garantuar transparencën dhe përgjegjësinë.
Në deklaratën e tij, ministri ngriti gjithashtu shqetësimin për presionin ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, përfshirë kërcënimet dhe publikimin e të dhënave identifikuese të efektivëve në kanale publike dhe rrjete sociale.
“Policia e Shtetit ka referuar raste konkrete të kërcënimeve ndaj drejtuesve dhe punonjësve të saj nga individë të caktuar, të cilët kanë përdorur kanalet publike të komunikimit për identifikimin e punonjësve të policisë. Ky është një akt i paprecedentë, të cilin nuk do ta tolerojmë”, deklaroi Demo.
Ai shtoi se do të ndiqen të gjithë hapat ligjorë për të garantuar që punonjësit e policisë të ushtrojnë detyrën dhe përgjegjësitë e tyre me mbrojtje të plotë ligjore.
