Demo: Policët me kamera trupi, prindërit do të paguajnë dëmet e shkaktuara nga të miturit në protesta

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 30 tetor, Zhurnal.mk – Qeveria shqiptare është e hapur për dialog me çdo palë që kërkon të diskutojë çështje konkrete që mund të adresohen nga institucionet.

Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në një deklaratë të përbashkët me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ku foli për menaxhimin e protestave, përdorimin e të miturve, masat e reja ligjore dhe forcimin teknologjik të Policisë së Shtetit.

“Qasja e qeverisë shqiptare është e qartë, ne jemi të hapur në çdo moment për t’u ulur dhe për të dialoguar me këdo që kërkon dialog për çështje specifike, të cilat mund të adresohen nga qeveria shqiptare”, deklaroi Demo.

Ministri foli edhe për pjesëmarrjen e të miturve në protesta. Ai theksoi se organizatorët i kanë vendosur të miturit në vijën e parë të përplasjeve dhe të dhunës, duke qëndruar vetë pas tyre.

“Shifrat e shoqërimit tregojnë qartazi se numri i të miturve që kanë marrë pjesë në protestë është shumë shqetësues. Janë 269 të shoqëruar nën moshën 18 vjeç. Kjo tregon sfidën e madhe ndërinstitucionale që kemi për ta adresuar këtë fenomen”, tha ministri.

Demo theksoi se parandalimi i këtij fenomeni kërkon angazhimin e disa institucioneve, përfshirë shkollat, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

“Veprimet e Policisë së Shtetit për shoqërimin e të miturve nuk janë zgjidhja. Sidomos për këtë kategori, ne duhet të gjejmë rrugën e duhur, kanalet e duhura të komunikimit dhe mbështetjen për familjet dhe vetë të miturit, në mënyrë që ky fenomen të mbetet një kujtim i hidhur i këtyre javëve të fundit”, u shpreh Demo.

Ministri bëri të ditur gjithashtu se qeveria ka miratuar një akt normativ që parashikon instrumente të reja ligjore për Policinë e Shtetit në menaxhimin e tubimeve të paligjshme dhe të akteve të dhunës.

Ai theksoi se, një prej masave parashikon që dëmet e shkaktuara nga të miturit gjatë akteve të vandalizmit apo dhunës të mbulohen nga familjet e tyre. Demo tha se masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në vende të Bashkimit Europian, duke përmendur Italinë dhe Francën.

Ai njoftoi se parashikohen edhe masa administrative, përfshirë gjoba për personat që marrin pjesë në protesta të dhunshme, si dhe krijimi i një regjistri kombëtar për individët e dhunshëm që kanë marrë pjesë në manifestime në territorin e vendit.

“Do të dalim shumë shpejt me informacion të detajuar për secilën prej masave, të cilat tashmë janë në fuqi. Jam i bindur se këto do ta ndihmojnë punën e Policisë së Shtetit për të pasur edhe një përgjigje proporcionale ndaj individëve që marrin pjesë në protesta të dhunshme”, deklaroi Demo.

Një tjetër drejtim ku qeveria synon të investojë, sipas ministrit, është fuqizimi teknologjik i Policisë së Shtetit.

Demo bëri të ditur se në një kohë të afërt do të vihen në përdorim kamerat e trupit, fillimisht për punonjësit e Policisë së Shtetit në bashkinë e Tiranës.

“Kamerat e trupit do të jenë shumë të rëndësishme për transparencën e veprimeve të Policisë së Shtetit. Përmes tyre do të mund të dokumentohen aktet e dhunës apo veprimet e paligjshme të individëve të caktuar, por njëkohësisht do të garantohet që veprimet e policisë të jenë gjithmonë brenda kornizës ligjore”, tha ai.

Demo shtoi se po shqyrtohen mundësi për përmirësimin e komunikimit brenda strukturave policore përmes radiove të reja, si dhe përdorimin e mjeteve të teknologjisë digjitale në punën investigative.

Ai u ndal edhe te përdorimi i teknologjisë për identifikimin e personave që, sipas tij, kanë ushtruar dhunë gjatë protestave, veçanërisht atyre që kanë qenë të maskuar.

Ministri bëri të ditur se materialet për disa raste janë referuar në Prokurorinë e Tiranës dhe se, falë teknologjisë, është bërë e mundur identifikimi i personave të dyshuar për ushtrim dhune ndaj institucioneve, bizneseve private dhe punonjësve të policisë.

“Materiali i është referuar Prokurorisë së Tiranës, ku qartazi duken individë që, të maskuar, kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, bizneseve private dhe punonjësve të Policisë së Shtetit. Falë teknologjisë, ne tashmë kemi evidentuar identitetin e tyre dhe po ndërmerren të gjithë hapat ligjorë për përgjegjësinë penale që duhet të mbajnë këta individë”, deklaroi Demo.

Ministri i bëri thirrje Prokurorisë së Tiranës dhe gjykatës për një përgjigje të unifikuar në mbrojtje të shtetit, pronës dhe sigurisë kolektive.

“Elementët që realisht kanë ushtruar dhunë në kryeqytet duhet të përballen me një standard të qartë të përgjegjësisë ligjore”, u shpreh ai.

Demo theksoi se roli i Policisë së Shtetit nuk duhet të kufizohet vetëm në garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë situatave të tensionuara, por duhet të përfshijë edhe parandalimin e tyre, ku një ndihmë të rëndësishme mund të japë teknologjia.

Ministri nënvizoi se Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve dhe garantimit të tubimeve të ligjshme e paqësore në të gjithë territorin e vendit.

“Policia e Shtetit është aty për të ndihmuar qytetarët, për t’i mbështetur ata dhe për të garantuar tubimet e ligjshme paqësore. Ajo nuk është aty për t’u përballur në mënyrë të dhunshme me askënd, por do të reagojë në momentin kur ka dhunë ndaj institucioneve publike, bizneseve, institucioneve financiare apo individëve që mund të ndodhen rastësisht në një protestë”, deklaroi Demo.

Ai falënderoi punonjësit e Policisë së Shtetit për angazhimin gjatë javëve të fundit dhe u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me policinë dhe të zbatojnë udhëzimet e saj në situata të caktuara.

“Rendi dhe siguria janë përgjegjësi e të gjithëve, edhe e shoqërisë. Të gjithë duhet të nxjerrim mësimet e duhura nga kjo situatë që kemi përjetuar së bashku”, përfundoi ministri, duke u uruar shërim të shpejtë të gjithë personave të lënduar gjatë protestave.

artikuj të ndërlidhura