Deri në 56 mijë pasagjerë në ditë, Shqipëria shënon fluks rekord të sezonit turistik

Nga L. M
830 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Autoritetet e Shqipërisë kanë njoftuar se janë duke marrë masa të shtuara për të ofruar siguri për turistët që kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për t’i kaluar pushimet e verës.

Sipas tyre, vetëm përmes linjave ajrore, numri i pasagjerëve që zbresin në Aeroportin e Rinasit ka arritur deri në 56 mijë brenda një dite.

Për këtë, drejtues të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve të tjera kanë inspektuar zbatimin e masave për menaxhimin e sezonit turistik.

“Gjatë inspektimit u vlerësua angazhimi maksimal i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe i administratës doganore, të cilët po përballojnë me profesionalizëm përpunimin e rreth 50 000 deri në 56 000 pasagjerëve në ditë, duke garantuar njëkohësisht lëvizjen e shpejtë të qytetarëve dhe turistëve, si dhe standarde të larta sigurie”, është thënë në njoftim.

Gjatë sezonit turistik, të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në regjim shërbimi 12-orësh, duke rritur me rreth 20% praninë e punonjësve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit.

“Gjithashtu, është ulur nga 16 në 12 vjeç mosha minimale e përdoruesve të sistemit të kontrollit automatik e-Gate, duke rritur ndjeshëm numrin e pasagjerëve që përpunohen në mënyrë automatike dhe duke shkurtuar kohën e pritjes. Paralelisht, është përmirësuar dhe përditësuar sistemi TIMS, ndërsa janë riparuar ose zëvendësuar me pajisje të reja kompjuterët, lexuesit e dokumenteve dhe pajisje të tjera të kontrollit kufitar, çka ka rritur më tej shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit”, është thënë tutje.

Krahas menaxhimit të fluksit, sipas njoftimit, vëmendje e veçantë i është kushtuar parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare, me fokus luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandës dhe migracionit të paligjshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër