Dhjetëra të zhdukur pas zjarrit në një fabrikë në Indonezi, tre të vdekur

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Xhakarta, 22 nëntor Zhurnal.mk – Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe 36 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një zjarri që përfshiu të shtunën një fabrikë ëmbëlsirash në pjesën perëndimore të ishullit Java, në Indonezi.

Zjarrfikësit vazhduan përpjekjet për shuarjen e flakëve edhe të dielën, ndërsa ekipet e shpëtimit po kërkonin punëtorët që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesës së dëmtuar, përcjell Bota sot.

Agjencia Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit e Indonezisë njoftoi se deri të dielën ishin lokalizuar 15 persona të mbijetuar. Ndërkohë, katër të tjerë janë dërguar në spital dhe në një klinikë lokale për trajtim, por gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë e ditur.

Fabrika ndodhet në distriktin Serang, në provincën Banten, rreth 50 kilometra në perëndim të kryeqytetit Xhakarta. Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e zjarrit.

Guvernatori i Bantenit, Andra Soni, deklaroi se besohet që rreth 60 persona ndodheshin brenda fabrikës në momentin kur shpërtheu zjarri.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë fabrikën e përfshirë nga flakët gjatë natës, zjarrfikësit duke luftuar me zjarrin, si dhe ekipet e emergjencës duke nxjerrë trupat e viktimave nga rrënojat.

“Të gjithë anëtarët e ekipit të përbashkët të kërkim-shpëtimit po bëjnë përpjekje maksimale për të gjetur personat e zhdukur, duke i dhënë përparësi sigurisë së ekipeve në terren“, thuhet në njoftimin e agjencisë.

Ndërkohë, familjarët e punëtorëve të zhdukur janë mbledhur jashtë fabrikës, në pritje të informacioneve për fatin e të afërmve të tyre, raportojnë mediat lokale.

artikuj të ndërlidhura