Dieta e Naomi Campbellit, shumë më e rreptë nga sa dihej

Nga D. V.
535 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pas figurës së saj të admiruar fshihet një disiplinë që ekspertët nuk do t’ia rekomandonin shumicës së njerëzve

Prej vitesh konsiderohet një nga gratë më të bukura në botë, ndërsa trupi i saj i hollë dhe pamja rinore vazhdojnë të ngjallin admirim. Megjithatë, mënyra se si Naomi Campbell e ruan formën fizike shpesh ka shkaktuar reagime të forta në publik.

Supermodelja e njohur ka treguar më herët se ushqehet sipas disa rregullave tejet të rrepta, ndërsa shumë njerëz mendojnë se regjimi i saj është larg një mënyre të shëndetshme dhe të ekuilibruar të ushqyerjes.

Në një intervistë për gazetën britanike The Sun, Naomi kishte pranuar se zakonisht konsumonte vetëm një vakt gjatë ditës.

“E ha drekën. Dreka është njëkohësisht edhe darka, sepse në të vërtetë ha vetëm një herë në ditë”, kishte deklaruar ajo.

Edhe pse herë pas here ia lejon vetes disa kënaqësi, sidomos të dielave, kur konsumon ëmbëlsira, pudingë dhe ushqime të tjera të ëmbla, pjesën tjetër të javës ndjek një regjim shumë të disiplinuar.

Nga ushqimi ka larguar pothuajse plotësisht produktet e qumështit dhe glutenin, ndërsa prej vitesh ndjek një mënyrë vegjetariane të të ushqyerit.

Ditën zakonisht e fillon me një gotë ujë të ngrohtë me limon, ndërsa në vend të kafesë zgjedh çajin e gjelbër.

Por ajo që ka shqetësuar veçanërisht shumë ekspertë dhe adhurues të saj është pohimi se herë pas here kalon ditë të tëra pa konsumuar ushqim të ngurtë.

“Ha kur ndiej uri. Kur ndonjë ditë nuk kam dëshirë të ha, pi vetëm ujë ose lëngje. Ndonjëherë zgjat një ditë, e ndonjëherë edhe më shumë”, kishte shpjeguar modelja, transmeton Telegrafi.

Regjimi kundërthënës që shkaktoi debate

Deklaratat e saj prej vitesh kanë nxitur diskutime mes nutricionistëve, të cilët paralajmërojnë se shmangia e ushqimit për disa ditë mund të ketë pasoja serioze për shëndetin, veçanërisht kur bëhet pa mbikëqyrje profesionale.

Megjithatë, Naomi pohon se i dëgjon me kujdes nevojat e organizmit të saj dhe se kjo mënyrë jetese i përshtatet.

Vëmendje të madhe kishte tërhequr edhe pranimi i saj se herë pas here ndjek të ashtuquajturën “dietë me limonadë”, e njohur edhe si “Master Cleanse”, të cilën dikur e kishte bërë të famshme edhe Beyoncé.

“Periudha më e gjatë ka qenë 18 ditë. Është mirë që nganjëherë organizmi të pastrohet plotësisht”, kishte deklaruar Naomi, duke paraqitur kështu bindjen e saj personale për këtë regjim.

Ndërsa disa mendojnë se pikërisht kjo disiplinë qëndron pas pamjes së saj të jashtëzakonshme dhe karrierës së gjatë në industrinë e modës, të tjerë paralajmërojnë se një mënyrë kaq kufizuese e të ushqyerit nuk është e përshtatshme dhe as e rekomandueshme për shumicën e njerëzve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër