Shkup, 19 maj Zhurnal.mk – Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Mjekëve të Mjekësisë Familjare, mjekët amë në vend ngritën një sërë shqetësimesh lidhur me kushtet në sistemin shëndetësor, duke theksuar mungesën e mjekëve, pagat e ulëta, ngarkesën administrative dhe problemet me financimin e ordinancave.
Mjekët familjarë kërkojnë gjithashtu njohjen e plotë të specializimeve të tyre, duke vlerësuar se puna dhe kompetencat që ushtrojnë nuk po trajtohen në mënyrë adekuate nga institucionet.
Dragan Gjorgjievski deklaroi se problemet në këtë sektor vazhdojnë prej vitesh dhe ende nuk kanë marrë zgjidhje konkrete.
“Problemet mbeten të njëjta. 15 vite specializimi për mjekësinë familjare nuk është e pranuar. Edhe pse mjeku i familjes ka një numër të madh kompetencash, ka një numër të madh kolegësh që janë specialistë në mjekësinë familjare që kryejnë edhe spirometri dhe eko-diagnostikë dhe otoskopi e të ngjashme, megjithatë, ata kurrë nuk mund të kërkojnë pagesë për këtë shërbim, ata nuk mund ta vlerësojnë në mënyrë adekuate punën që ofrojnë”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai shtoi se mjekët familjarë përballen edhe me kufizime në përshkrimin e barnave, gjë që sipas tyre e vështirëson më tej punën e përditshme me pacientët.
Një tjetër problem serioz, sipas mjekëve amë, mbetet financimi i ordinancave, veçanërisht në zonat rurale dhe vendbanimet e vogla. Ata paralajmërojnë se shumë ambulanca kanë filluar të reduktojnë stafin shëndetësor për shkak të mungesës së mjeteve financiare.
Mjekët familjarë kërkojnë nga institucionet kompetente reforma konkrete dhe mbështetje më të madhe për kujdesin parësor shëndetësor, duke theksuar se ky sektor është baza e sistemit shëndetësor dhe se pa investime serioze, problemet vetëm do të thellohen.
