Ditët e Arsimimit Mediatik në RMV, synohet lufta kundër dezinformatave

Nga D V
A+ A-
Rivendos
Shkup, 26 tetor, Zhurnal.mk –  Nën moton “Të gjithë kemi një rol”, nga sot deri më 2 nëntor, në vendin tonë mbahen Ditët e Arsimimit Mediatik, nën organizimin e Rrjetit për Arsimim Mediatik. Në këtë mënyrë, vendi ynë i bashkohet shënimit të Javës së tetë Globale të Edukimit për Median dhe Informacionin, të organizuar nga UNESCO. Gjatë kësaj jave, qytetarët do të kenë mundësi të marrin pjesë në punëtori, debate, uebinare, ditë të hapura dhe aktivitete të tjera që trajtojnë aspekte të ndryshme të arsimimit mediatik. Qëllimi është të rritet vetëdija publike për rëndësinë e tij dhe të inkurajohet secili individ e institucion që të japë kontributin e vet në përballjen me dezinformatat dhe në përdorimin e përgjegjshëm të mediave dhe teknologjisë.
“Tema e Javës Globale të Edukimit për Median dhe Informacionin këtë vit është “Të gjithë kemi një rol”. Mesazhi kryesor është që secili individ, çdo organizatë, institucion ose medium, pra secili prej nesh të mendojë se si mund të kontribuojë që të jemi më të aftë në identifikimin e informacioneve të pasakta dhe keqdashëse, ta shfrytëzojmë në mënyrë të dobishme kohën që kalojmë para ekraneve dhe mundësitë që ofron inteligjenca artificiale t’i përdorim për të mirë.”, – deklaroi zëvendësdrejtori i AShMA-së, Muhamer Bekiri.
Në një kohë kur informacioni përhapet me shpejtësi dhe rrjetet sociale janë bërë burim i përditshëm lajmesh, mbrojtja në hapësirën online dhe dallimi mes së vërtetës dhe dezinformatave po bëhen gjithnjë e më të vështira. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm arsimimin mediatik, veçanërisht për të rinjtë, të cilët çdo ditë përballen me një mori informacionesh.
“Dallimi mes asaj që është e vërtetë dhe asaj që është e pavërtetë po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për të rinjtë, të cilët janë vazhdimisht të rrethuar me informacione. Pikërisht kjo është thelbi i edukimit mediatik. Ne nuk duam t’u tregojmë njerëzve se çfarë të besojnë, por t’i ndihmojmë të vënë në pikëpyetje atë që shohin, të verifikojnë burimin dhe të arrijnë vetë te vlerësimet dhe përfundimet e tyre.”, – theksoi përfaqësuesi i BE-së, Luçano Skambjato Liçardi.
Shënimi i Ditëve të Arsimimit Mediatik në vend organizohet për të tetin vit radhazi, ndërsa synimi i anëtarëve të rrjetit është të forcojnë arsimimin mediatik në shoqëri, veçanërisht zhvillimin e mendimit kritik dhe aftësinë e qytetarëve për të analizuar, verifikuar dhe kuptuar informacionet me të cilat përballen çdo ditë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër