Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – KShPK konstatoi shkelje të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave në rastin e një drejtoreshe shkolle, e cila kishte punësuar vajzën e saj në një shkollë, pa u përjashtuar fillimisht nga procedura e vendimmarrjes. Për këtë rast, KShPK-ja shqiptoi dy gjoba kundërvajtëse, të cilat janë paguar, ndërsa për shkak të shkeljes së konstatuar, dokumentacionin e lëndës tani do t’ia përcjellë Prokurorisë Themelore Publike kompetente për procedim të mëtejshëm.
“Në këtë rast, nga njëra anë, është shkelur ligji, përkatësisht personi nuk është përjashtuar nga vendimmarrja ku është kryer kundërvajtje sipas nenit 75, paragrafit 1, të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave. Për këtë arsye ndaj personit zyrtar, përkatësisht drejtorit, kemi lëshuar urdhërpagesë kundërvajtëse, ndërsa gjoba e përcaktuar është paguar. Gjithashtu është konstatuar se të njëjtit person zyrtar i ka përfunduar marrëdhënia e punës në shkollën përkatëse, përkatësisht ai nuk e ushtron më funksionin e drejtorit. Gjatë kontrolleve të kryera është konstatuar se ai nuk ka dorëzuar as deklaratë për gjendjen pasurore dhe interesat, për çka gjithashtu i është lëshuar urdhërpagesë kundërvajtëse. Duke qenë se është vepruar në përputhje me urdhrin brenda afatit ligjor të përcaktuar, propozoj që procedura të ndërpritet, pasi ne kemi vepruar lidhur me të dyja kundërvajtjet. Nga ana tjetër, meqenëse është konstatuar shkelje e ligjit, propozoj që i gjithë dokumentacioni, përfshirë vendimin e KShPK-së, t’i dorëzohet Prokurorisë Themelore Publike kompetente.”, – deklaroi kryetari i KShPK-së, Adem Çuçul.
KShPK, regjistrohet lobisti i parë i huaj në vend
Njëherësh, në seancën e sotme antikorrupsionerët njëzëri morën vendim për regjistrimin e lobistit të parë të huaj në vend. Bëhet fjalë për një shtetas nga Austria, të cilit pas kërkesës së parashtruar, Komisioni i dha miratimin për regjistrim në Regjistrin e Lobistëve.
“Në përputhje me nenin 10, paragrafin 1, të Ligjit për Lobim, Komisioni Shtetëror shqyrtoi të gjithë aplikacionin dhe dokumentacionin e aplikuesit dhe konstatoi se aplikacioni përmban të gjitha të dhënat dhe dokumentet e nevojshme. Konstatuam se aplikuesi për herë të parë regjistrohet në Regjistrin e Lobistëve. KShPK-ja vlerësoi se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për regjistrimin e këtij personi fizik si lobist.”, – theksoi zëvendëskryetari i KShPK-së, Besnik Xhemaili.
Deri më tani në vend janë të regjistruara tri organizata lobuese, pesë përfaqësues të organizatave lobuese dhe dy lobistë vendorë. Me regjistrimin e shtetasit austriak, vendi ynë tashmë ka edhe lobistin e parë të huaj. Në seancën e sotme anëtarët e KShPK-së shqyrtuan edhe disa lëndë të tjera që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit, si dhe me mosdorëzimin e deklaratave për gjendjen pasurore nga ana e personave zyrtarë pas zgjedhjes ose emërimit në funksione publike.
