Dyshime për virusin Ebola në Itali, sa të rrezikuar jemi ne?

Nga Xh M
473 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Romë, 31 maj Zhurnal.mk – Autoritetet shëndetësore në Itali kanë aktivizuar protokollet e emergjencës pas një rasti të dyshuar me Ebola në qytetin e Kaljarit, në ishullin e Sardenjës. Një person është dërguar në Spitalin “Santissima Trinità”, në repartin e sëmundjeve infektive, pasi ka shfaqur simptoma që përputhen me virusin Ebola.

Sipas raportimeve të mediave italiane, pacienti është marrë nga banesa e tij dhe dyshohet se së fundmi është kthyer nga një udhëtim jashtë vendit. Gazeta lokale “La Nuova Sardegna” shkruan se identiteti dhe kombësia e personit nuk janë bërë publike.

Ndërkohë, Italia po kërkon masa më të rrepta për kontrollin e kufijve. Qeveria italiane ka dërguar ekspertë nga Spitali “Spallanzani” në Republikën Demokratike të Kongos, ku po përballet me përhapjen e virusit.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka propozuar që çështja e menaxhimit të kufijve të jetë pjesë e rendit të ditës në takimin e Këshillit Evropian më 18 dhe 19 qershor. Para këtij takimi, Roma ka kërkuar përshpejtimin e koordinimit mes vendeve evropiane përmes videokonferencave të ministrave të shëndetësisë.

Sipas Jean Kaseya, drejtor i përgjithshëm i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), deri më 30 maj në Republikën Demokratike të Kongos dhe Ugandë janë regjistruar 263 raste të konfirmuara me Ebola dhe 43 viktima, ndërsa numri i rasteve të dyshuara ka kaluar 1.100.

Ekspertët vlerësojnë se rreziku për përhapjen e Ebolës në Maqedoninë e Veriut dhe në vendet e Ballkanit mbetet shumë i ulët. Virusi nuk transmetohet përmes ajrit si gripi apo COVID-19, por përhapet vetëm përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun, lëngjet trupore ose indet e personave të infektuar.

Megjithatë, autoritetet shëndetësore në Evropë monitorojnë me kujdes çdo rast të dyshuar, veçanërisht te personat që kthehen nga zonat ku ka shpërthime të sëmundjes në Afrikë. Në rast se një person i infektuar udhëton në rajon, ekzistojnë protokolle të posaçme për izolimin dhe trajtimin e pacientëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit.

Për momentin nuk ka raste të raportuara me Ebola në Maqedoninë e Veriut apo në vendet fqinje të Ballkanit. Institucionet shëndetësore vazhdojnë të ndjekin rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të Bashkimit Evropian për reagim të shpejtë në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshuar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër