Korridori 8, Qyra: Projekt i sigurt dhe nuk devijon nga Struga

Nga B.M
877 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Strugë, 1 maj, Zhurnal.mk – Shqetësimet se Korridori 8 mund të anashkalojë Strugën për shkak të kërkesave të UNESCO-s, sidomos në segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë, nuk qëndrojnë, thotë Mendi Qyra në një deklaratë për TVM2.

Sipas tij, projekti do të kalojë patjetër nëpër Strugë dhe realizimi i tij nuk është në pikëpyetje. Diskutimi i vetëm që mbetet është koha e përfundimit, jo nëse do të realizohet apo jo thotë Qyra. Ai shtoi se në qershor pritet një vizitë në terren nga përfaqësues të UNESCO, të cilët do të vlerësojnë kushtet dhe mundësitë më të mira për implementimin e projektit në këtë segment.

“Unë ju garantoj që Korridori 8 do të kalojë nëpër Strugë dhe do të realizohet. Pyetja ime është se për sa kohë do të realizohet, duke qenë se kontrata me Bechtel parashikon përfundimin deri në vitin 2029. Që të realizohet dhe të kalojë nga Struga, patjetër duhet të ndjekë këtë trase, sepse nuk ka alternativë tjetër. Pritet që në qershor të vijë një ekip i UNESCO-s dhe shpresojmë që të bindet se kjo duhet të realizohet. Edhe ata, sipas informacioneve tona, na kanë thënë gojarisht se nuk janë kundër ndërtimit të një infrastrukture të tillë, e cila është një rrugë shumë domethënëse për ne”, u shpreh kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.

Statusi në UNESCO-s, Qyra: Nuk ka “pardon” për ndërtimet pa leje

Sa i përket ndërtimeve pa leje, të cilat rrezikojnë statusin në UNESCO, Qyra thotë se janë në pritje të ligjit me të cilin mund të prishen edhe objektet e ndërtuara pa leje.

“Nëse miratohet ligji tani, do të veprojmë në përputhje me të, dhe ai parashikon edhe prishjen e disa objekteve që nuk janë të përshtatshme, që janë uzurpuar ose që nuk kanë dokumentacionin adekuat. Në këtë drejtim nuk do të ketë kompromis. Nëse duhet të prishen, le të prishen. Nëse merret vendim për t’i shembur dhe për të filluar nga e para, ashtu siç është vepruar në Pogradec”, u shpreh Qyra.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër