Prishtinë, 30 tetor, Zhurnal.mk – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në kuadër të hetimeve për rastin penal “Arkitekti i Kryeqytetit”.
Në përgjigjen për Telegrafin, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se intervistimi është zhvilluar lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Lidhur me çështjen për të cilën keni kërkuar informata, Prokuroria Speciale ju njofton se personi me inicialet P.R. është intervistuar në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të veprimeve hetimore që Prokuroria është duke i zhvilluar në rastin penal ‘Arkitekti i Kryeqytetit’, lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Tutje, Prokuroria Speciale ka theksuar se është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Kryetari Rama u deklarua pas intervistimit dhe tha se ka kërkuar bashkëpunim me Prokurorinë për çështjen e Arkitektit të Kryeqytetit.
“Unë vazhdimisht kam kërkuar bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, dhe për çështje të tjera, përkundër faktit se disa, si kryeministri, mos të përmendim emra që nuk shkojnë, ne jemi të gatshëm gjithmonë të bashkëpunojmë”, tha Rama.
Edhe avokati Artan Qerkini e konfirmoi se Rama u intervistua në lidhje me projektin ‘Arkitekti i Kryeqyetit’.
“Edhe pse dihet që kemi të bëjmë me politika publike të cilat në instancë të fundit vlerësohen prej votuese. Z.Rama ka shprehur gatishmëri që nëse Prokuroria dyshon për aspekte të ndryshme të këtij projekti, të jap sqarimet e nevojshme”, bëri të ditur avokati Çerkini.
Intervistimi në cilësinë e të pandehurit nuk nënkupton se ndaj Ramës është ngritur aktakuzë apo se ai është shpallur fajtor.
