Shkup, 27 mars, Zhurnal.mk – Me një tjetër raund zgjedhjesh të parakohshme parlamentare më 19 prill 2026, Bullgaria po shkon drejt zgjedhjeve të teta parlamentare që nga viti 2021. Pas dorëheqjes spektakolare të Presidentit Rumen Radev, aleanca e tij e re, “Bullgaria Progresive”, po trondit peizazhin politik. Qëllimi i tij i deklaruar është “çmontimi” i plotë i oligarkisë. Por, mbetet e paqartë nëse aleanca e Radevit mund t’i japë fund paqëndrueshmërisë së vazhdueshme politike – apo nëse kjo paqëndrueshmëri do të intensifikohet më tej. Nëse fiton Radev, për Maqedoninë e Veriut nuk “këndohet” këngë e mirë!, shkruan “Zhurnal.mk”.
Tetë palë zgjedhje brenda pesë viteve!
Bullgaria, e cila iu bashkua eurozonës më 1 janar, është përballur me një paqëndrueshmëri të zgjatur politike, me partitë e paafta për të formuar koalicione të qëndrueshme qeverisëse në një parlament të fragmentuar.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë të tetat në vetëm pesë vitet e fundit.
Partia konservatore GERB doli e para në zgjedhjet e fundit në vitin 2024, duke formuar një qeveri koalicioni. Megjithatë, njerëzit filluan të dilnin në rrugë në fund të nëntorit për shkak të projektbuxhetit të vitit 2026, me protestuesit që e cilësuan atë si një përpjekje për të maskuar korrupsionin e përhapur.
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, një kritik i zëshëm i qeverisë që mbështeti protestat, njoftoi dorëheqjen e tij mes spekulimeve se ai po kërkonte të merrte pjesë në zgjedhje.
Që kur dha dorëheqjen si president më 19 janar, Radev ka zbuluar një parti politike të quajtur “Bullgaria Progresive”, e cila menjëherë u ngjit në krye të sondazheve të opinionit publik përpara zgjedhjeve të 19 prillit.
Më 16 mars, agjencia Sova Harris e renditi Bullgarinë Progresive në vend të parë me një përqindje mbresëlënëse prej 30.9 përqind të votave, shumë përpara partisë më parë dominuese të qendrës së djathtë GERB me 19.3 përqind dhe aleancës kryesore opozitare pro-Bashkimit Evropian të “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” dhe “Bulgarisë Demokratike” me 12.2 përqind.
Projekti politik i Radevit – i cili ende nuk ka zbuluar një manifest apo edhe një faqe zyrtare interneti – pritet gjerësisht të konsolidojë votën pro-ruse dhe nacionaliste, në kurriz të Ringjalljes dhe Partisë Socialiste Bullgare. Partitë tjera rrezikojnë të bien nën pragun prej katër përqind për të hyrë në Kuvend.
Kjo në vetvete do të shënonte një ndryshim të madh, por ndryshime të tjera janë duke u zhvilluar: socialistët kanë një udhëheqës të ri, më reformator, 43-vjeçarin Krum Zarkovç ish-zëvendësguvernatori i Bankës Kombëtare Andrey Gyurov ka marrë detyrën si kryeministër i përkohshëmç dhe mendimet tashmë po kthehen te zgjedhjet presidenciale për të zëvendësuar Radevin më vonë gjatë vitit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Sondazhet: Pesë grupe të sigurta për të fituar deputetë në zgjedhjet parlamentare të Bullgarisë
Pesë forca politike janë të sigurta se do të fitojnë vende në Asamblenë e 52 -të Kombëtare të Bullgarisë, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 19 prill.
Sipas sondazhit të Alpha Research, 29.4 përqind e atyre që kanë ndërmend të votojnë do ta bëjnë këtë për koalicionin Bullgaria Progresive të ish-presidentit Roumen Radev.
Më pas vjen GERB-UDF e Boiko Borissovit me 20.7 përqind, e ndjekur nga “Ne Vazhdojmë Ndryshimin – Bullgaria Demokratike” në vendin e tretë me 11.5 përqind, e ndjekur nga Lëvizja për të Drejta dhe Liri – Fillimi i Ri, e udhëhequr nga Delyan Peevski, i sanksionuar nga Akti Magnitsky, me 9.8 përqind, dhe partia pro-ruse Vuzrazhdane e Kostadin Kostadinovit me 6.8 përqind.
Rezultatet e sondazheve të reja konfirmojnë se pjesëmarrja e votuesve do të jetë më e lartë se sa është parë në zgjedhjet parlamentare në Bullgari në disa vite, në 54 përqind.
Qeveria e ardhshme e Bullgarisë ka shumë të ngjarë të formohet rreth partisë së Rumen Radev, dhe matematikisht, formimi i një qeverie do të jetë më e lehtë nëse ka pesë grupe në Parlament, shkruan “Zhurnal.mk”.
Radev ka qenë më i zëshëm kundër Maqedonisë së Veriut
Ish-presidenti bullgar Rumen Radev, i cili tani ka shansa që të jetë kryeministri i ri i vendit, ka mbajtur një qëndrim vazhdimisht kritik ndaj Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në lidhje me negociatat e saj të pranimit në Bashkimin Evropian dhe të drejtat e qytetarëve me identitet bullgar.
Radev ka mbështetur vendosjen e kushteve në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, duke argumentuar se Shkupi nuk ka arritur të zbatojë Traktatin e Miqësisë të vitit 2017 dhe se gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut duhet të marrin fund përpara se të përparojnë bisedimet me BE-në.
Radev mbështeti fuqimisht veton e Bullgarisë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut me BE-në, duke theksuar se Bullgaria nuk po i bllokon ato, por Shkupi po pengon përparimin e vet duke mos përmbushur kriteret e rëna dakord.
Një kërkesë e madhe e mbështetur nga Radev është përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut për të siguruar të drejtat e tyre, së bashku me adresimin e mosmarrëveshjeve historike.
Radev ka theksuar vazhdimisht shkeljen e të drejtave të njerëzve me “ndërgjegje bullgare”, duke përmendur incidente ngacmimi, gjuhe urrejtjeje dhe sulme ndaj klubeve kulturore bullgare, siç është zjarrvënia e qendrës kulturore “Ivan Mihailov” në Manastir. Ai ka bërë thirrje që marrëdhëniet dypalëshe të çlirohen nga ato që ai i përshkruan si “ideologji totalitare” që pengojnë dialogun.
Në vitin 2024, Radev akuzoi qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut të udhëhequr nga Kryeministri Hristijan Mickoski për mungesë njohurish mbi të drejtën ndërkombëtare, për shkak se sugjeroi një rinegocim të traktateve, duke e quajtur atë një politikë që synon drejtpërdrejt kundër parimeve evropiane.
Radev këmbëngul se ndërtimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë duhet të bazohet në “të vërtetën historike”, duke hedhur poshtë atë që ai e konsideron si përpjekje për të manipuluar historinë.
Në vitin 2022, Radev ishte në kundërshtim me kryeministrin e atëhershëm bullgar Kiril Petkov, i cili favorizonte një qasje më të butë ndaj Maqedonisë së Veriut, duke e konsideruar se çdo heqje të vetos ndaj Maqedonisë së Veriut është “tradhti kombëtare”.
Pavarësisht presionit të BE-së dhe faktorit ndërkombëtar të jashtëm për të hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut, Radev ka argumentuar se përpjekje të tilla janë “kundërproduktive” dhe se rezultatet në terren janë të nevojshme, në vend të afateve.
Prandaj, duke e pasur parasysh se kryeministër i ardhshëm mund të jetë ish-presidenti bullgar, Radev, Maqedonia e Veriut do të ketë problem të madh në rrugën e integrimit në BE. Pasojat tek se do të shihen në ditët në vijim dhe BE-ja do të detyrohet urgjentisht të merr masa për të rikthyer çështjet e integrimit të Ballkanit Perëndimor, shkruan “Zhurnal.mk”.
