Editorial / A do të strehojë emigrantë Maqedonia e Veriut ?!

Nga B.M
91 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 prill, Zhurnal.mk – Shtetet e Evropës Perëndimore të shtyra nga presioni i partive opozitare, kryesisht atyre radikale ose të ekstremit, kërkojnë që të gjejnë zgjidhje për migrantët të cilët kanë pushtuar vendet e tyre. 

Si opsione të mundshme dhe më të lehta i shohin që këto emigrantë nga vendet e treta të cilëve iu është refuzuar kërkesa për strehim politik apo janë në pritje të përgjigjes, t’i vendosin në shtetet e Ballkanit. 

Para rreth një viti, mediat në Mbretërinë e Bashkuar u përhapën idea se do të ndërtohen kampe për emigrantë në Maqedoninë e Veriut. Duket se ky “test i opinionit” dështoi sepse Maqedonia e Veriut ka mohuar zyrtarisht raportet se do të ndërtojë kampe të emigrantëve qoftë nga Mbretëria e Bashkuar apo nga ndonjë vend tjetër. 

Nga atmosfera e partive në pushtet dhe opozitës, është e papranueshme që në Maqedoninë e Veriut të vendosen kampe për emigrantë, edhe pse ky vend vazhdon të mbetet një nga vendet tranzit të emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës dhe Azisë, shkruan “Zhurnal.mk”. 

Situata e migracionit në rrugën e Ballkanit Perëndimor

Ballkani Perëndimor ndodhet në zemër të Evropës, i rrethuar gjeografikisht nga shtetet anëtare të BE-së. Rajoni është një qendër tranziti dhe korridor kyç për migrantët që drejtohen për në BE, veçanërisht nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika.

Rruga e Ballkanit Perëndimor i referohet mbërritjeve të parregullta në BE përmes rajonit: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Rruga e Ballkanit Perëndimor është një nga rrugët kryesore migratore për në Evropë . Pas numrit rekord të mbërritjeve në Bashkimin Evropian në vitin 2015, numri i migrantëve të parregullt që zgjedhin këtë rrugë ra vazhdimisht për disa vite. Megjithatë, që nga viti 2019 numri i hyrjeve ilegal të migtrantëve në Be ka filluar të rritet përsëri, për të pasur pastaj një zvogëlim prej 42% në vitin 2025 përmes rajonit ballkanik, sipas të dhënave agjensionit FRONTEX të BE-së.

Shumë migrantë të parregullt që arrijnë në BE nëpërmjet rrugës së Ballkanit Perëndimor, lëvizin nga shteti anëtar i BE-së ku kanë mbërritur për herë të parë në një vend tjetër të BE-së. Kjo rezulton në një numër të lartë zbulimesh të migrantëve të parregullt dhe kërkesave për azil në Evropë.

Të gjithë partnerët në rajon kanë një  Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në që përcakton kornizën e përgjithshme për marrëdhëniet e tyre me BE-në. 

BE-ja ka ndërmarrë një sërë masash për të trajtuar situatën e migracionit në rrugën e Ballkanit Perëndimor. Më 5 dhjetor 2022, Komisioni Evropian paraqiti një plan veprimi të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Plani identifikon një sërë masash operative për të forcuar partneritetin me Ballkanin Perëndimor, në dritën e statusit të tyre unik me perspektivën e anëtarësimit në BE dhe përpjekjeve të tyre të vazhdueshme për t’u përafruar me standardet e BE-së, si dhe veprimet kryesore që duhen ndërmarrë brenda BE-së.

Midis viteve 2021 dhe 2022, BE-ja ka mbështetur veprime që lidhen me migracionin në rajon në kuadër të IPA III, për një vlerë totale prej 201.7 milionë eurosh. Kjo përfshin programe të hartuara për të forcuar kapacitetin për të menaxhuar migrimin në rajon, si dhe për të forcuar kapacitetin e menaxhimit të kufijve. BE tashmë ka dërguar pjesëtar të FRONTEX në 5 vendet e rajonit, por jo në Kosovë.

Në Ballkanin Perëndimor vetëm Shqipëria ka lejuar të ndërtohen kampe emigrantësh në interes të Italisë, por edhe atje skema nuk po funksionon siç duhet, ndërsa kryeminsitri Edi Rama ka thënë se këto janë kampet e vetme dhe të fundit për emigrantë të huaj, dhe se nuk do të lejoej më ndërtimin e kampeve të tilla, shkruan “Zhurnal.mk”. 

Maqedonia e Veriut mbetet shtet tranzit për emigrantët

Maqedonia e Veriut është kryesisht një vend tranziti për migrantët që udhëtojnë nga Greqia në Evropën Perëndimore. Vetëm një numër i vogël i atyre që arrijnë në Maqedoninë e Veriut pranojnë të marrin azil, të tjerët ikin duke synuar vendet e BE-së. Qendra e vetme e azilit në vend, e vendosur në Vizbeg pranë Shkupit, ka një kapacitet prej vetëm 90 personash, me banorët që ndonjëherë përballen me kushte të këqija dhe burime të kufizuara. 

Statusi i Azilit rrallë jepet dhe qëndrimet janë shpesh të përkohshme, me shumë që kërkojnë vetëm një pushim të shkurtër përpara se të vazhdojnë udhëtimin e tyre. Për qytetarët jashtë BE që kërkojnë qëndrim të ligjshëm, parashikohet punësimin, ribashkimin familjar ose investime të konsiderueshme.

Migrantët shpesh përballen me kushte të rrezikshme, duke përfshirë grabitje dhe dhunë të mundshme gjatë tranzitit të tyre nëpër vend.

Kufijtë e Maqedonisë së Veriut monitorohen me rreptësi, duke shkaktuar shpesh bllokime dhe duke i detyruar shumë njerëz të hyjnë ose të kthehen përsëri drejt Greqisë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Pushteti mohon kampet e emigrantëve, opozita njoftoi peticion dhe mobilizim online

Mediat britanike kishin njoftuar se Londra po negocionte me Maqedoninë e Veriut për deportimin e azilkërkuesve të refuzuar dhe sqaronin se parashikohej një kompensim financiar prej 20,000 paundësh për çdo migrant të deportuar, si pjesë e sistemit të ri të “qendrave të kthimit”.

Megjithatë, kryeministri Hristijan Mickoski ka theksuar se përderisa ai do të jetë kryeministër, Maqedonia e Veriut nuk do të ndërtojë kampe për emigrantët dhe as nuk do të pranojë emigrantë nga Mbretëria e Bashkuar. Ai theksoi se i hedh poshtë dhe me indinjatë këto spekulime duke pohuar se nuk planifikohet të krijohet ndonjë kamp për migrantët e paligjshëm. “Kjo temë e aplikantëve të pasuksesshëm për azil nëse ngrihet ndonjëherë, do të refuzohet”, tha Mickoski në Parlament.

Nga ana tjetër opozita ka njoftuar se do të organizojë peticion online dhe një mobilizim të gjerë kundër pranimit të mundshëm të migrantëve. Sipas opozitës, vendosja e emigrantëve mund të rrezikojë të ardhmen e vendit, ndërsa Maqedonia e Veriut duhet të përpiqet për zhvillim dhe integrim në BE, dhe jo të bëhet një “Mekë për emigrantët”.

Me këto paralajërime të fuqishme, është e qartë se cila do parti qoftë në pushtet, qofshin ato djathtiste apo majtiste, nuk do të lejojnë të ndërtohen kampe për emigrantë në Maqedoninë e Veriut. Edhe popullata në Maqedoninë e Veriut nuk është e mësuar me emigrantë të huaj dhe deri në këto momente gjithmonë ka qenë rrezistente kundrejt këtyre iniciativave, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër